Gazeta Si – Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar me 10 vite burg në mungesë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, ka vrarë me armë zjarri një polic dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni për kapjen e tij në Lozhan të Maliqit.
Braçellari ishte fshehur në një stan në Lozhan të Maliqit. Forcat “Shqiponja” rrethuan stanin dhe i bënë thirrje 43-vjeçarit të dorëzohej, por ai ka refuzuar dhe në një moment ka hapur zjarr ndaj policisë.
Nga shkëmbimi i zjarrit, mbeti i vdekur polici Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa u plagos polici Edison Adri, 36 vjeç.






Gjatë përplasjes me armë zjarri ka mbetur i plagosur edhe vetë autori i dyshuar, i cili është neutralizuar. Ai ka marrë një plumb në pjesën e barkut, ndërsa është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës.
Në vitin 2017, ai është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës dhe u shpall fajtor për prodhim dhe trafik narkotikësh.
Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, Apeli si edhe Gjykata e Lartë, me një vendim të marrë në janar 2024.
Prej terrenit të vështirë ku fshihej, ai i kishte shpëtuar disa herë RENEA-s, pasi për të shkuar te stani ku fshihej duhet të ecësh 40 minuta në këmbë.
“Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi V.B, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Kultivimi i bimëve narkotike’. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ të DVP Korçë). Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi V.B, i cili më pas është arrestuar”, – thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje