Politike

Rama: Verifikimi i transaksionit në Zvërnec sjell sqarim të plotë mbi origjinën e fondeve

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një komunikim me mediat pas mbledhjes së qeverisë, ka folur për procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec dhe për hetimet që po zhvillohen nga SPAK.

Rama theksoi se procesi i verifikimit synon sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të përdorura për blerjen e tokës, të cilat kanë kaluar përmes sistemit bankar, duke çuar sipas tij edhe në “çlirimin përfundimtar të investitorëve” që aktualisht figurojnë si pronarë.

Ai e cilësoi pozitive faktin që SPAK ka vendosur të mbajë të ngrira fondet, duke mos lejuar kalimin e tyre te shitësit, për shkak të një procesi hetimor që po zhvillohet.

“Ky është një zhvillim pozitiv edhe për këdo që pretendon pronësi në atë territor, pasi origjina e pronës tashmë po trajtohet nga një hetim i pavarur përmes SPAK-ut dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore,” u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se nëse rezulton që shitësi ka origjinë legjitime të pronës dhe fondeve, atëherë do të marrë pagesën përkatëse, ndërsa në të kundërt, fondet do të kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar dhe do të përdoren për personat që provojnë pretendime të ligjshme mbi pronën.

Rama theksoi se ky proces sipas tij synon të sjellë qartësi të plotë ligjore dhe të mbyllë përfundimisht çështjet e hapura mbi pronësinë në zonë.

Në lidhje me pyetjet e gazetarëve për thirrjet e protestuesve për dorëheqjen e tij, Rama u përgjigj se nuk sheh arsye për dorëheqje dhe i cilësoi këto kërkesa si përsëritje të debateve të vjetra politike.

Sipas tij, nuk mund të ketë dialog me ata që i konsideron të “kurdisur”, ndërsa theksoi se është i gatshëm të komunikojë vetëm me qytetarët që e kanë votuar dhe që, sipas tij, shprehin shqetësime reale.

Rama shtoi se askush nuk mund ta largojë nga detyra, duke deklaruar se “qëndron në ‘istikamin’ që i kanë vendosur qytetarët shqiptarë”, ndërsa ata që protestojnë kundër tij, sipas tij, përfaqësojnë një “film të vjetër” të politikës shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë