Politike

Rama ironizon për ‘Zvërnecin’: Shqipëria e ‘tradhtarëve’ do të drejtojë ‘Forest Europe’

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria është zgjedhur me votë unanime si Presidente e Forest Europe për periudhën 2026-2030, për politikëbërjen në fushën e pyjeve. Me votën e 45 vendeve anëtare, vendi merr stafetën nga Suedia.

Lajmin e bëri me dije kryeministri Rama i cili ironizoi edhe akuzat e ngritura nga kundërshtarët e qeverisë lidhur me çështjet mjedisore dhe projektet e zhvillimit në vend.

“Po si ka mundësi që këtë vend të betonit, Paketës së Mafias së Maleve dhe të Konspiracionit Jahudit të zhdukjes së pyllit të Zvërnecit, ta mbështesin fuqimisht Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për këtë zgjedhje kaq domethënëse, ndërsa vendimi të miratohet pa asnjë kundërshtim nga asnjë vend anëtar?”, u shpreh Rama.

Ai vijoi me tone ironike ndaj teorive konspirative që, sipas tij, qarkullojnë në debatin publik, duke përmendur pretendime për projekte të lidhura me Izraelin, Katarin, Gazën dhe Zvërnecin.

“Iku kjo botë, madje u prish dynjaja, se u bashkuan në Shqipëri Trumpi me Sorosin që të bëjnë ‘Shqipërinë e shqiptarëve’ me hormone transgjenitale, me një ishull izraelit në tokë e një në det, me zëvendësim të pelikanëve me palestinezë, ku kulmi i degjenerimit është partneriteti i tyre me Katarin, që në Zvërnec do vihet në shërbim të Izraelit paçka se në Gjirin Arabik nuk e shohin me sy njëri-tjetrin… Dhe kush i bën të tëra këto, tradhtari në kryeministri që ku t’i ketë robt e shpis o ej, o ej, o ej, se paska qenë Satanai vetë”, ironizon Rama.

Sipas tij, zgjedhja e Shqipërisë në krye të Forest Europe përbën një dëshmi konkrete të besimit që partnerët europianë kanë ndaj vendit.

Forest Europe bashkon 45 shtete europiane dhe Bashkimin Evropian dhe konsiderohet platforma kryesore për përcaktimin e politikave mbi menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, biodiversitetin pyjor, klimën dhe ekonominë e gjelbër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë