Politike

Qeveria do të ndryshojë ligjet e Sigurisë Kombëtare

Brenda vitit 2019, qeveria do të ndryshojë ligjet e Sigurisë Kombëtare, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Një ndërhyrje e tillë është programuar si pjesë akteve të cilat do të miratohet gjatë këtij viti. Kështu është parashikuar ndryshuar ndërhyrja në projektligjin “Për informacionin e klasifikuar “Sekret Shtetëror””.
“Ndryshimet në Politikën e Sigurisë së NATO-s dhe direktivat e saj dhe ligji aktual nuk i parashikon dhe ka vakuum ligjor në rregullimin e shumë aspekteve të punës. Përafrimi dhe përshtatja me Politikat e Sigurisë, Direktivat, Rregulloret e BE-së”, thuhet në argumentimin e Qeverisë.
Ndryshimi i akteve nënligjore, shihet i domosdoshëm nga qeveria pasi, aktualisht ka vakum në ligjin aktual në fuqi të cilat nuk i rregullon, pasi VKM-të i janë përshtatur politikës së sigurisë së NATO-s, BE-së, si dhe direktivave, rregulloreve mbështetëse të tyre.
Këto ndryshime parashikojnë shtimin e kompetencave Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, institucion që është në varësi të Kryeministrit.
Ndërsa çështjet kryesore të kësaj nismeje janë përcaktimi i rregullave të përgjithshme që duhet të zbatohen gjatë gjithë ciklit të punës me informacionin e klasifikuar, si element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare duke respektuar të drejtat e liritë themelore të njeriut, legjislacionin e mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Krijimi i një sistemi unik për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që ka të bëj me cenimin e interesave të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Së bashku me ligjin e ri, qeveria parashikon dhe nxjerrjen e VKM-je, “Për miratimin e rregullores për klasifikimin e informacionit “Sekret shtetëror””. Ky projektvendim ka për qëllim përcaktimin e kritereve dhe procedurave për klasifikimin “Sekret shtetëror” të informacioneve që prodhojnë institucionet shtetërore. Vendimi aktual edhe pse ka pësuar ndryshime është e nevojshme të përditësohet më tej. Projektvendimi përcakton mënyrën së si ngrihen Komisionet për Shqyrtimin dhe Klasifikimit të Informacioneve, si funksionojnë dhe ku ngrihen ato. Gjithashtu përcaktohen kriteret dhe kategoritë e informacioneve që duhet të klasifikohen “Sekret shtetëror”, hartimi i listës së informacioneve të klasifikuar “Sekret shtetëror”.
Në projektvendim do të përcaktohen në mënyrë më të detajuar cili do të jetë rrethi i çështjeve mbi të cilat mund të klasifikohen informacione. Kjo do të ndihmojë institucionet shtetërore në përcaktimin e listës së dokumenteve që do të klasifikojnë. Në projektvendim do të përcaktohet më saktë roli i Drejtorit të DSIK në rastet kur informacioni që kërkojnë të klasifikojnë institucionet nuk ka lidhje me sigurinë kombëtare.
Rregullave për sigurimin e personelit, sigurimin industrial, sigurimin e dokumenteve të klasifikuara, shumfizimi, qarkullimi, sigurimin fizik, transportimin e informacionit të klasifikuar, arkivimin e tij, sigurimin e sistemeve të komunikimit dhe informacionit, shkëmbimi i informacionit, shkeljet e rregullave të sigurisë dhe sanksionet do të jenë pjesë e parashikimeve të këtyre akteve.
Ndërsa këto ndryshime lidhen edhe me faktin e rolit që ka DSIK në procesin e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si pjesë e procesit të Vettingut. Ky institucion paraqet raporte të posaçme në lidhje me figurën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, nëse kanë ose jo lidhje të papërshtatshme me persona të inkriminuar, apo janë lidhje të tjera.


Debati për rrjedhjen e informacionit të klasifikuar
Një muaj më parë gazeta britanik “The Independent” në një shkrim investigativ shkruante se shërbimet sekrete në Shqipëri, si një vend anëtar i NATO-s po cenon seriozisht marrëdhëniet duke nxjerrë informacione sekrete.
“Vendi i NATO-s, Shqipëria, po publikon informacione të ndjeshme në lidhje me operatorët e tij më të lartë të inteligjencës në internet, duke dhënë detaje rreth identitetit të tyre, automjeteve, roleve operacionale, lëvizjeve të udhëtimit dhe zakoneve të përditshme në dispozicion të publikut në atë që duket të jetë një shkelje e madhe dhe potencialisht e rrezikshme mund të ketë pasoja ndërkombëtare”, thuhet në artikull.
Më tej ajo shkruan se “të dhënat e pagave dhe të shpenzimeve të vendosura në tabelat në faqen e internetit të Ministrisë së Financave të Shqipërisë tregojnë një pasuri të hollësishme mbi Shërbimin Informativ Shtetëror, duke përfshirë vendndodhjet e zyrave në terren, tërheqjet në para të gatshme dhe minutat si menaxherët e ujit, teknikët dhe mekanikët që përdorin”.
Sipas gazetës, të dhënat tregojnë emrat dhe numrat e kartave të identifikimit të agjentëve në shërbim, të njohur në nivel lokal dhe në komunitetin e inteligjencës si SHISH, që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë dy me poste të ndjeshme në selinë e NATO-s në Bruksel. Fletët e tabelave tregojnë emrat, pozicionet, pagat dhe shpenzimet e së paku tetë operatorëve kryesorë klandestin shqiptarë – disa që punojnë nën mbulimin diplomatik – në Belgjikë, Greqi, Kosovë, Itali, Maqedoni dhe Serbi.
Por ky artikull pati edhe një reagim nga vetë SHISH, ku me anë të një njoftimi hodhi poshtë këto pretendime. “Lajmi për publikimin e informacioneve sekrete të SHISH është i pavërtetë. SHISH deklaron se e trajton informacionin e klasifikuar në bazë të rregullave ligjore dhe në përputhje me standardet e NATO-s dhe BE. Me keqardhje nuk mund të bëjmë asnjë koment më shumë”, thuhet në reagimin e SHISH në datën 9 dhjetor në lidhje me këtë artikull.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë