Ekonomi

Ndërtimi dhe shërbimet mbajnë lart besimin në ekonomi

Nga Gazeta ‘Si’- Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u rrit lehtë me 1.1 pikë në muajin maj, ndikuar nga përmirësimi i besimit për të gjithë sektorët e ekonomisë, përveç tregtisë dhe industrisë.

Konkretisht, gjatë majit treguesi i besimit konsumator u rrit me 2.5 pikë përqindje. Përmirësimi u mbështet nga rritja e të katër komponentëve përbërës: pritjet për gjendjen financiare personale, pritjet për situatën ekonomike të vendit, si dhe vlerësimet për blerjet e mëdha aktuale dhe ato të planifikuara në të ardhmen.

Rritjen më të madhe të besimit e pati sektori i shërbimeve, +3.4 p.p, pas disa muajsh krizë. Rritja erdhi si pasojë e rritjes së kërkesës.

Edhe për ndërtuesit, treguesi i besimit u rrit  me 0.7 pikë përqindje në maj dhe aktualisht ndodhet rreth 13.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja u nxit kryesisht nga vlerësimet më pozitive për aktivitetin aktual ndërtues, ndërsa kontratat porositëse dhanë një kontribut të lehtë negativ. Edhe në këtë sektor, pritjet për çmimet në të ardhmen regjistruan rënie.

Treguesi i besimit të industrisë ruajti të njëjtin nivel si një muaj më parë, duke qëndruar rreth 8.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Sipas komponentëve të tij, bizneset e industrisë raportuan rritje të prodhimit gjatë muajit maj, ndonëse vlerësuan në rënie kontratat porositëse. Ndërkohë, pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan ulje.

Në anën tjetër, besimi në tregti u ul me 3.3 pikë përqindje në maj. Rënia reflekton vlerësime më pak optimiste për ecurinë aktuale të shitjeve dhe pritje më të dobëta për punësimin. Gjithashtu, pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan një ulje të ndjeshme, pas tendencës rritëse të dy muajve të mëparshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë