Gazeta Si – Ndalesa e radhës së kryeministrit Edi Rama sot, ishte Lezha, në kuadër të përkujtimit të 35 vjetorit të krijimit të degës së PS në këtë qark. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se PS e ka kthyer Shqipërinë nga “delja e zezë”, në një vend që respektohet.
“Ne kemi plot të meta, kemi bërë plot gabime. Kur vjen puna te pamja e madhe, është një pamje që flet vetë për ne. Flet vetë raporti me interesin kombëtar, me historinë dhe botën. Është PS në qeveri sot që ia ka ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është. E ka bërë Shqipërinë nga ‘delja e zezë’ një dekadë më parë, në një vend që është më afër se kurrë realizimit të një ëndrre historike”, deklaroi Rama.
Sipas tij, opozita ka hedhur baltë ndaj familjarëve e fëmijëve të tij, por shtoi se nuk do të bëjë të njëjtën gjë për familjet e kundërshtarëve politikë.
“Socialistët që nuk iu bashkuan dhunës, piramidave dhe shkatërrimeve dhe nuk mishëruan një pushtet familjar mbi të tjerët, i bashkon diçka që është Europa në zemër dhe të qenit europian në mendje. Pikërisht pse ne jemi të tillë, jo vetëm nuk ua kemi kthyer kusurin të tjerëve me të njëjtat mjete, nuk kemi kërkuar rrugët e hakmarrjes, por kemi pranuar baltën që na ka sjellë çdo ditë fortuna që është ngritur kundër nesh. Baltë ndaj familjes sonë, ndaj fëmijëve tanë. Keni parë ndonjëherë që t’u kthehemi atyre duke përdorur librin e tyre të shtëpisë? Asnjëherë. Nuk kanë lënë gjë pa thënë pa familjen time, për fëmijët e mi, për të vdekurit në shtëpinë time, por kurrë nuk do dëgjoni që unë të flas për familjet e tij dhe të tyre dhe për të vdekurit në shtëpinë e tyre, sepse kjo nuk është europiane, kjo nuk është njerëzore. Në fund është njerëzillëku që ndan PS-në me forcat e tjera politike”, tha më tej Rama.
Kryeministri tha se qëllimi i vetëm i Partisë Socialiste është integrimi në BE dhe ngitja e flamurit të Skënderbeut e Ismail Qemalit në oborrin e shtëpisë evropiane.
“Këtë përçarje e mbollën dhe e ushqejnë sot e gjithë ditën ata që PS i ka pasur përballë. Në fakt, i kemi mbrapa, dhe përpara kemi vetëm objektivin historik, majën ku do të vendosim flamurin e Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit, në oborrin e shtëpisë evropiane”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje