Futboll

Sot finalja e Championsit PSG-Arsenal, një duel madhështor si një lojë shahu!

Gazeta Si – Finalja e shumëpritur e Ligës së Kampionëve, e cila do të luhet këtë të shtunë (ora 18:00) në Budapest mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germain, pritet të jetë përplasje klasike stilesh.

Arsenali ka mbrojtjen më të mirë, por pyetja kryesore është nëse ekipi i Mikel Artetës mund të frenojë një nga repartet më të talentuara sulmuese në Europë.

PSG ka shënuar 44 gola në rrugën drejt “Puskas Arena” dhe, pas mënyrës si e çmontoi mbrojtjen e Interit në finalen e vitit të kaluar, kampioni në fuqi, shihet favorit përballë një klubi që ende nuk e ka fituar këtë trofe.

Nga njëra anë, është Luis Enrique që ëndërron “dopietën” me PSG e tij, që vjen pas një dueli me tension të lartë me Lens në Ligue 1.

Francezët, që triumfuan vitin e kaluar kundër Interit, vijnë në finalen e këtij viti pas një rrugëtimi të ngjashëm; “playoff” kundër Monacos, për të fituar më pas me Chelsea, Liverpool dhe Bayern Mynih.

Sfida e dyfishtë me gjermanët ishte një finale autentike e parakohshme plot me gola dhe surpriza, 5-4 ndeshja e parë, tension i lartë në sfidën e kthimit

Kvicha Kvaratkhelia ëndërron trofeun që do ta vendoste mes kandidatëve për “Topin e Artë” pas një Champions League me statistika 2-shifrore, ndërsa Dembele dhe Doue duan të shkojnë në Botëror me një fitore të madhe pas një viti plot me probleme fizike dhe dëmtime.

Në rrugën e francezëve është Arsenali i Mikel Artetës. “Topçinjtë” fituan Premier League pas 22 vitesh dhe tani kërkojnë “dopietën” e trofeve që do t’i jepte një tjetër dimension projektit londinez.

Saka me shokë erdhën në aktin final pas një rrugëtimi më të lehtë, falë vendit të parë në Fazën e Ligës; në 1/8 e finaleve kundër Leverkusen, çerekfinalet kundër Sporting Lisbonë dhe gjysmëfinalet kundër Atletico Madrid.

Më pak spektakël dhe shumë konkretizim për Arsenalin që nuk është i favorizuar në këtë përballje me PSG, por që kërkon të bëjë historinë. 

Vështirë se do të ketë surpriza në zgjedhjet e trajnerëve, me Luis Enrique që rikuperon Nuno Mendes. Portugezi do të plotësojë mbrojtjen me Hakimin në të djathtë dhe Marquinhos e Pacho në qendër.

Mesi i fushës, me Joao Neves, së bashku me Vitinha dhe Fabian Ruiz, ndërsa sulmi do të shohë Dembele së bashku me Kvaratskhelia dhe Doue.

Arteta do të përgjigjet me skemën klasike 4-2-3-1 dhe mund të hedhë në fushë Odegaard i preferuar kundrejt Eze.

Në krahë do të jenë Saka dhe Trossard, përpara Gyokeres me Rice dhe Zubimendin në mesin e fushës dhe Calafiori, titullar në repartin e mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë