Gazeta Si – Deri në 30 vite burg mund të jetë dënimi më i rëndë për zjarrvënie të qëllimshme. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, paralajmëroi masa të ashpra dhe zero tolerancë gjatë një takimi me drejtuesit e strukturave zjarrfikëse të 61 bashkive të vendit.
“Dua ta them qartë: do të ketë zero tolerancë ndaj zjarrvënies së qëllimshme dhe ndaj kujtdo që cenon pasurinë natyrore dhe sigurinë e komuniteteve tona”, deklaroi Lamallari, duke shtuar se në rastet më të rënda dënimet për zjarrvënësit mund të arrijnë deri në 30 vite burg.
Ministri bëri të ditur se gjatë muajve të verës strukturat zjarrfikëse do të kalojnë në gatishmëri të përforcuar.
Në terren do të ketë patrullime dhe monitorim të vazhdueshëm në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Emergjencat Civile dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ndërsa në zonat turistike dhe ato me risk të lartë do të ngrihen stacione të përkohshme zjarrfikëse.
Një tjetër masë do të jetë kontrolli i objekteve që presin numër të lartë pushuesish gjatë sezonit. Sipas Lamallarit, inspektimet do të përfshijnë hotele, resorte, restorante, lokale plazhi dhe subjekte të tjera, me fokus respektimin e rregullave të sigurisë dhe planeve të evakuimit.
Paralelisht me masat parandaluese, qeveria po investon edhe në forcimin e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës.
“Kemi avancuar modernizimin e flotës, kemi mbështetur përmirësimin e trajtimit financiar dhe kemi nisur hapa të rinj për rritjen e kapaciteteve operacionale në të gjithë vendin”, deklaroi ai.
Ministri njoftoi se financimi për vitin që lamë pas u rrit në 2.8 miliardë lekë, nga 2.3 miliardë lekë në vitin 2024. Aktualisht në vendin tonë, sipas Lamallarit, operojnë rreth 170 automjete zjarrfikëse, ndërsa janë planifikuar edhe 130 mjete të reja dhe ndërtimi i katër stacioneve të reja në Përrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë.
Në deklaratën e tij, Lamallari u kërkoi bashkive dhe institucioneve vendore të kenë plane të qarta veprimi për përballimin e emergjencave, duke theksuar se mbrojtja e pyjeve, zonave turistike dhe komuniteteve nga zjarret mbetet një nga sfidat kryesore të sezonit veror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje