Politike

Berisha pas takimit me ekspertët e ‘Venecias’: Zgjedhjet u blenë me paratë e shtetit

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD, Sali Berisha, ka folur për mediat pas takimit me ekspertët e Komisionit të Venecias, ku u ndal te reforma zgjedhore dhe rekomandimet ndërkombëtare për proceset elektorale në Shqipëri.

Ai tha se çështja e financimit të partive është “më themelorja e procesit zgjedhor”, ndërsa pretendoi se diferenca mes financimeve të PD-së dhe PS-së ka qenë “nga 700 deri në 1 mijë herë”, madje sipas tij “të paktën 2700 herë” nëse përfshihen edhe shpenzimet nga buxheti i shtetit.

Sipas Berishës, gjatë fushatës elektorale, mazhoranca organizoi 4 530 aktivitete në një periudhë të ndaluar nga ligji, me kosto që sipas tij varionin “nga disa qindra euro deri në 7 milionë euro”, duke përmendur edhe organizimin e “Giro d’Italia” një ditë para zgjedhjeve.

Berisha deklaroi se nuk ka ende një draft të dakordësuar mes PS dhe PD për reformën zgjedhore, ndërsa vlerësoi raportin dhe rekomandimet e ODIHR.

Ai theksoi se çështja e depolitizimit të administratës zgjedhore mbetet një temë që do të negociohet.

“Unë s’di të këtë asnjë draft të përbashkët mes PD dhe PS. ODIHR ka sjellë rekomandime të shkëlyera. I mbështes plotësisht. Ka bërë një raport të shkëlqyer që ne e marrim shumë parasysh. Presim edhe rekomadimet e Komisionit të Venecias. Nuk di asnjë dakordësi deri më sot mes drejtuesve të reformës zgjedhore. Problemi i depolitizimit të administratës zgjedhore do negociohet. Ju e morët vesh që patronazhistët u bënë personazh i urryer në raportin e IBAR. A e patë raportin ku damkoseshin rrjetet e patronazhistëve?”, tha Berisha. 

“Është e domosdoshme që të konsiderohet një trupë guardiane e ligjit elektoral dhe jo partiake që s’pyet për ligj elektoral”, theksoi kryedemokrati.

I shoqëruar nga Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso dhe Albana Vokshi, Berisha akuzoi qeverinë se përdori fondet publike për ndikim elektoral, duke përmendur dhënien e 100 eurove për pensionistët gjatë fushatës, faljen e detyrimeve financiare për mijëra familje dhe biznese, si edhe prokurime publike që sipas tij arrijnë mbi 500 milionë euro.

Ai nuk la pa përmendur edhe raportin e IBAR, ku shtoi se për herë të parë sipas tij po damkosen rrjetet e patronazhistëve të PS-së.

“Censurimi i raporteve ndërkombëtare që damkosin qeverinë dhe mbrojnë qytetarët është një akt i dënueshëm i mafies së fjalës së lirë. Për herë të parë në raportet e BE, damkosen rrjetet patronazhiste. Nuk kam tendence të mohoj asgjë, mbroj interesat e qytetarëve”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë