Nga Gazeta ‘Si’ – Në muajin prill, kursimet e shqiptarëve në banka shënuan sërish rritje, duke e çuar totalin e depozitave në rreth 1.50 trilionë lekë, një nivel rekord. Krahasuar me marsin, depozitat u zgjeruan me rreth 0.5%, duke rikuperuar pjesërisht tkurrjen e muajit të mëparshëm.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritja u mbështet kryesisht nga depozitat në lekë, të cilat u shtuan me rreth 10 miliardë lekë gjatë muajit. Ndërkohë, depozitat në valutë shënuan një rënie të lehtë prej rreth 2 miliardë lekësh, megjithëse valuta vijon të mbajë një peshë të rëndësishme në totalin e kursimeve.
Rritja më e fortë u vu re te llogaritë rrjedhëse, që përdoren për pagesa dhe transaksione të përditshme, duke treguar se likuiditeti në ekonomi mbetet i lartë.
Familjet dhe individët vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të depozitave në banka, ndërsa bizneset kanë shfaqur më shumë lëvizje të fondeve, në varësi të aktivitetit ekonomik dhe pagesave të tyre.
Edhe pse rritja e prillit ishte e moderuar, niveli i depozitave mbetet i lartë, duke reflektuar stabilitet të kursimeve në sistemin bankar.
Së fundmi, Agjencia e Sigurimit të Depozitave njoftoi se po shqyrtohet mundësia e rritjes së vlerës së kursimeve të siguara, nga 25 mln lekë (të vjetra) në 100 milionë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje