Ekonomi

Ekonomia e përmbajtjes, Shqipëria synon ta kthejë industrinë krijuese në motor zhvillimi

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria synon ta kthejë industrinë krijuese dhe mediatike në një motor të ri zhvillimi ekonomik dhe kulturor deri në vitin 2030.

Përmes draftit të Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026–2030, qeveria synon të pozicionohet si një qendër rajonale për film, animacion, muzikë, media digjitale dhe përmbajtje kreative, e lidhur me tregun europian dhe global.

Dokumenti thekson se industritë kulturore dhe krijuese përbëjnë aktualisht rreth 3% të PBB-së dhe punësojnë më shumë se 20 mijë persona, duke i konsideruar ato si një nga sektorët me potencialin më të madh për inovacion dhe punësim të të rinjve. Sipas draftit, rritja e platformave digjitale dhe ekonomisë së medias krijon mundësi që Shqipëria të lidhet me zinxhirin europian dhe global të prodhimit kulturor.

Megjithatë, dokumenti pranon se sektori mbetet ende i fragmentuar, i përqendruar kryesisht në Tiranë dhe i varur nga financimet publike apo donatorët e huaj. Strategjia evidenton si problematika kryesore mungesën e financimit, infrastrukturën e dobët, mungesën e aftësive profesionale dhe kapacitetet e kufizuara digjitale.

Për këtë arsye, deri në vitin 2030 parashikohen investime në trajnim profesional, edukim për media digjitale dhe animacion, forcim të kapaciteteve teknologjike dhe mbështetje për bizneset kreative dhe startup-et kulturore.

Drafti synon gjithashtu që trashëgimia kulturore shqiptare dhe identiteti kombëtar të promovohen përmes filmave, muzikës, videolojërave dhe platformave të reja digjitale, me objektivin për të rritur eksportin e produkteve kulturore shqiptare dhe prezencën ndërkombëtare të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë