Politike

Ndryshimet në Qeveri, Meta nuk firmos shkarkimin e Bushatit

Kryeministri Edi Rama i paraqiti zyrtarisht Presidentit Meta propozimet për ndryshimet në bllok të qeverisë së tij. Nga Presidenca thonë se të premten pasdite vonë, janë paraqitur propozimet për largimin e 7 ministrave dhe të zv/kryeministrit. Së bashku është depozituar dhe propozimi për dekretimin e 8 ministrave të zv.kryeministrit.
Pa kaluar as 24 orë nga paraqitja e kërkesës së kryeministrit, presidenti Ilir Meta ka firmosur në mënyrë të menjëhershme me nxjerrjen e dekreteve për shkarkimet e ministrave. Dekreti i parë që ai firmosi për shkarkimin ka qenë ai i ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Më pas ka nxjerrë dekretet për shkarkimin e zv.kryeministres Senida Mesit, të ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshit, të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro; të ministri të Energjetikës, Damian Gjiknurit; të ministrit të Financave Arben Ahmetaj dhe të ministres së shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qaton.
Presidenti ka lënë pezull propozimin për shkarkimin e ministrit të Jashtën, Ditmir Bushati. Sipas burimeve mësohet se Presidenti kërkon më shumë kohë për lirimin e kryediplomatit Bushati. Edhe pse ka 7 ditë afat për t’u shprehur, kreu i shtetit duket se ka rezerva sa i përket shkarkimit të kryediplomatit. Kjo rezervë duket se do të rikthejë në skenë përplasjen mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta për çështjen e dekretit të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Kreu i shtetit nuk pranoi që të firmoste në fund tetorin e shkuar për emërimin e Lleshajt, pasi ia ishte ushtarak aktiv dhe se Kushtetuta nuk e lejonte një gjë të tillë. Refuzimi i parë shkaktoi jo pak konflikt mes krerëve të dy institucioneve. Shefi i qeverisë u detyra të bënte ripropozim të Lleshajt, duke çuar njëherësh nëpërmjet ministres së Mbrojtjes kërkesën për lirimin si ushtarak të këshilltar të kryeministrit për Çështjet e Sigurisë.

Debati për Cakën
Në emrat e rinj të propozuar për ministra janë dy shqiptarë nga Kosova. Gent Caka dhe Besa Shahini. Opozita deri më tani ka kontestuar propozimin e kryeministrit për emrin e ministrit të Jashtëm, Gent Caka, duke i bërë thirrje presidentit që ta mos ta dekretojë atë. Një qëndrim i tillë erdhi nga deputeti demokrat Tritan Shehu. Por ndaj tij opozita ka rezerva sepse ka vetëm një vit që ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Ndaj kandidaturës së ministrit të Jashtëm janë ngritur dyshime edhe në lidhje me mos pasjen e certifikatës së Sigurisë, si dhe për CV-në e Cakës. Në lidhje me këtë çështje, kryeministri në konferencën për shtyp të dhënë në 31 dhjetor i konsideroi këto pretendime si të pavërteta.
“Më falni për krahasimin, por e kam të detyruar krahasimin, Gent Caka ka lexuar libra, më shumë se ju të gjithë keni thënë fjalë në jetën tuaj. Është fakt, nuk është opinion. CV-në e tij do ta keni në dispozicion kur ai të bëhet ministër dhe nëse nuk është në ëebsite e Ministrisë së Jashtme, është gjëja më e thjeshtë në botë. Por të jeni të sigurt se zgjedhja e tij është zgjedhja e një shqiptari si unë, si ti e si të gjithë ju. Unë e neveris çdokënd që nënvizon kosovarin si arsye për të kontestuar zgjedhjen. E neveris çdokënd që e nënvizon kosovarin si arsye për të kontestuar këtë zgjedhje. Nuk e the ti, por e kanë thënë të tjerë”, do të reagonte Rama ndaj gazetarëve. Gjithashtu edhe pyetjes së ngritur sa i përket çështjes së certifikatës së Sigurisë, Rama e ka hedhur poshtë, duke i cilësuar si insinuata. “Nuk po e përsëris se e di që ti pyetjen e ke bërë pa tendencë negative dhe jam i bindur që është një pyetje e pafajshme. Nuk ka lidhje fare. Gent Caka është vendosur ministër për Europën dhe Punët e Jashtme për atë që ai përfaqëson, si një ndër njerëzit më të ditur që unë kam takuar në jetën time, si një njeri i përkushtuar ndaj një pune shumë të vështirë, si puna që ka bërë duke mbuluar të gjithë procesin e integrimit, ku kam mundur të vlerësojë kapacitetin e tij edhe si drejtues i një procesi shumë të vështirë dhe patjetër, edhe si një djalë që është shumë pranë vizonit, programit, mënyrës së të parit të gjërave të familjes sonë politike. Historia e tij nuk është shumë e gjatë, sepse ai është djalë i ri, por i tregon të gjitha këto”, do të theksonte Rama në konferencën .

Ministrat teknik pezull
Presidenti ka qenë i gatshëm të firmosë menjëherë dekretet për emërime ministrash. Firmën e parë e hodhi për caktimin e Erion Braçes në postin e zv.kryeministrit të qeverisë. Ndërsa dekreti i dytë ka qenë ai për emërimin e Bledi Çuçit në postin e ministrit të Bujqësisë. Më pas ka ardhur vendimi për emërimin e Eduard Shalsit në postin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen.
Gjithashtu ai nuk ka shprehur rezerva në lidhje me emërimin e Elisa Spiropalit në postin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Të katër dekretet e para janë propozime të kryeministrit që emra politikë, pasi janë deputetë të PS-së. Ndërsa për emrat e tjerë që janë teknik duket se presidenti do të kërkojë kohën e duhur për të vendosur. Kështu kanë mbetur pezull emrat e Gent Cakës i propozuar si ministër i Jashtëm, Anila Denaj e propozuar si ministër i Financave, Besa Shahinit, e propozuar si ministre e Arsimit, Belinda Balluku, si ministre e Energjetikës dhe të Elva Margaritit si ministre e Kulturës.

Ministrat e rinj që propozohen

Erion Braçe, Zv.Kryeministër- i dekretuar
Besa Shahini, ministre e re e Arsimit- pezull
Belinda Balluku, ministre e re e Infrastrukturës dhe Energjisë- pezull
Gent Caka, ministër i Punëve të Jashtme- pezull
Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë- pezull
Blendi Çuçi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural- i dekretuar
Eduard Shalsi, Ministër i Sipërmarrjes dhe Biznesit- i dekretuar
Elva Margariti, Ministre e Kulturës- pezull
Elisa Spiropali, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin- i dekretuar

Ministrat që largohen

Senida Mesi, Zv.kryeministre- dekretuar nga Meta
Arben Ahmetaj, Ministri i Financave- dekretuar nga Meta
Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë- dekretuar nga Meta
Lindita Nikolla, Ministrja e Arsimit- dekretuar nga Meta
Niko Peleshi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural-dekretuar nga Meta
Sonila Qato, ministre e Sipërmarrjes dhe Biznesit- dekretuar nga Meta
Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës- dekretuar nga Meta
Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm- dekret pezull për shkarkimin


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë