Nga Gazeta ‘Si’- Administrata Tatimore ka publikuar kategoritë e subjekteve që do të përfitojnë nga fshirja dhe shuarja e detyrimeve tatimore, në zbatim të ligjit për “Paqen Fiskale”.
Sipas njoftimit zyrtar, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit do të hartohet lista e plotë e tatimpaguesve që përfitojnë nga falja e detyrimeve, si dhe lista e subjekteve që përjashtohen nga ky përfitim. Njoftimet do t’u dërgohen elektronikisht tatimpaguesve përmes sistemit “e-Filing”.
Administrata Tatimore bën me dije se pas përfundimit të procesit të njoftimit, do të nisë kompensimi automatik i tepricës kreditore të TVSH-së apo tatimeve të tjera me detyrimet tatimore të subjekteve.
Ligji parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk falet detyrimi principal.
Për detyrimet e periudhës 2015–2019, bizneset mund të përfitojnë nga falja e 50% të principalit nëse paguajnë pjesën tjetër nga 10 deri më 30 qershor 2026, ose nga falja e 25% të principalit nëse 75% e mbetur paguhet deri më 31 dhjetor 2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat do të fshihen plotësisht.
Ndërsa për detyrimet e periudhës 2020–2024, do të falen gjobat dhe interesat me kusht që tatimi principal të paguhet i plotë deri më 31 dhjetor 2026.
Ligji sjell edhe lehtësi të tjera për subjektet e çregjistruara deri në fund të vitit 2024, falje të gjobave për deklarime të vonuara, si dhe fshirje të penaliteteve administrative të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.
Nga përfitimi përjashtohen subjektet e dënuara për vepra penale në fushën tatimore ose doganore, subjektet nën hetim apo në proces gjyqësor për këto vepra, si dhe ato që kanë vendime gjyqësore të formës së prerë në favor të administratës tatimore apo doganore.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në ligj brenda afateve të përcaktuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje