Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria dhe Bashkimi Europian do të mbajnë të hënën e 26 majit, Konferencën e tetë Ndërqeveritare (IGC) në Bruksel, një takim që konsiderohet kyç për ritmin e mëtejshëm të negociatave të anëtarësimit të vendit në BE.
Këshilli i Bashkimit Europian ka konfirmuar zyrtarisht mbajtjen e konferencës, e cila do të zhvillohet në margjinat e mbledhjes së Këshillit për Çështjet e Përgjithshme dhe do të drejtohet nga presidenca qipriote e Këshillit të BE-së.
Sipas agjendës orientuese, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të mbërrijë në Bruksel rreth orës 18:50 për një deklaratë të shkurtër për mediat, ndërsa Konferenca Ndërqeveritare do të nisë zyrtarisht rreth orës 19:00. Një konferencë për shtyp është planifikuar pas përfundimit të takimit.
Në terma praktikë, konferenca pritet të formalizojë konfirmimin për përmbushjen e kushteve të ndërmjetme në grup-kapitullin “Themeloret”, një zhvillim që konsiderohet vendimtar për vijimin e negociatave të anëtarësimit.
Për herë të parë, Shqipëria pritet të kalojë në fazën e përcaktimit të kushteve për mbylljen e kapitujve negociues në fushat më sensitive të procesit – Kapitullin 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe Kapitullin 24, për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
Grup-kapitulli “Themeloret” konsiderohet boshti i metodologjisë së re të zgjerimit, pasi përfshin funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe çështje që lidhen me prokurimin publik, statistikat dhe kontrollin financiar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje