Ka ndodhur

Ndërtimet pa leje në Sarandë, në pranga policë dhe zyrtarë të IMT-së

Gazeta Si – Një aksion policor u zhvillua mbrëmjen e të hënës me urdhër të Prokurorisë së Sarandës kundër ndërtimeve pa leje në bregdet nga ku u lëshuan 12 masa sigurie, 4 prej të cilave të ekzekutuara deri më tani.

Në pranga kanë rënë 3 efektivët, Kristofor Shkrepa e Kastriot Sotka, për të cilët është caktuar masa ‘arrest me burg’ si dhe Blerim Tafçiu në ‘arrest shtëpie’.

Të gjithë akuzohen për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ të kryer më shumë se njëherë, njofton Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Në pranga ka rënë dhe pronari i hotel ‘Oasis’ Alqi Papa. Në këtë hotel, Prokuroria ka sekuestruar një kat i dyshuar i ngritur pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.

Masë sigurie është lëshuar dhe për pronarët e ‘Copacabana’ Arjola Dhrami Bajo dhe Xhaferr Bajo. Beach- bari ‘Copacabana’, që tashmë është shembur nga IMT, çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit të Sarandës për shkak se kishin mbyllur sytë përballë paligjshmërisë në këmbim të ryshfeteve.

Masë sigurie është lëshuar dhe për kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Eduart Veliu, si dhe për efektivin Irakli Koçiaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë