Menaxhim

Ministri Karakaçi: Penalitete për aksionerët në aeroportin e Vlorës. Po dëmtojnë projektin dhe reputacionin e tij!

Nga Gazeta ‘Si’ – Qeveria shqiptare pati sot reagimin e parë zyrtar dhe publik lidhur me bllokimin e punimeve në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, për shkak të përplasjes mes ortakëve.

Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Enea Karakaçi tha se e ka ndjekur konfliktin me vëmendje dhe e ka parë me shqetësim sjelljen e deritanishme të palëve.

“Vërejmë me shqetësim se sjellja e deritanishme e palëve zhvilluese, bllokimi i kantierit, konfliktet gjyqësore dhe shkeljet kontraktore kanë shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet për respektimin e detyrimeve kontraktore. Konflikti që po pengon realizimin e aeroportit të Vlorës duhet të kuptohet se është, në thelb, një mosmarrëveshje e pastër civile dhe kontraktore mes dy palëve private”, tha Karakaçi i cili më tej paralajmëroi se mund të ketë edhe penalitete.

Ministri tha se aksionerët do të penalizohen për bllokimin e një projekti aq kritik sa aeroporti i Vlorës, edhe pse mosmarrëveshja e tyre është private.

“Sa i përket aeroportit të Vlorës, siç unë e referova, aeroporti nuk është operacional. Kur flasim për operacionalitet, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e veprës civile, por edhe për marrjen e të gjitha certifikatave për bërjen publik të aktivitetit ajror. Kjo nuk ka ndodhur! Në bazë të kontratës, këto duhej të kishin ndodhur. Penaliteti do t’u vendoset subjekteve tregtare. Mosmarrëveshja që ju keni parë gjithë këtë kohë është një mosmarrëveshje private mes 2 shoqërive që kanë marrë pjesë me vullnetin e tyre të lirë. Po bëhet shkak për vonesa të mëtejshme dhe për prishjen e reputacionit të aeroportit të Vlorës”, deklaroi më tej ministri, i cili shtoi se zhvillimet e fundit janë të papëlqyeshme së pari për qytetarët shqiptarë, por edhe për shtetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë