Treg

Nafta i rikthehet rritjes

Çmimet e naftës rifilluan rritjen të premten pasi kishin rënë për tre seanca radhazi, ndërsa investitorët po vlerësonin mesazhet kontradiktore mbi negociatat për marrëveshjen e paqes me Iranin.

Ndërsa deklaratat nga SHBA kishin sinjalizuar se marrëveshja e paqes ishte pranë finalizimit, qëndrimi i raportuar i udhëheqjes iraniane për të mbajtur uraniumin e pasuruar brenda vendit ka ngritur shqetësime për një konflikt më të zgjatur, duke mbajtur të ndërprera furnizimet me naftë për më shumë kohë.

Kontratat për naftën Brent u rritën me 1.9% në 104.52 dollarë për fuçi në tregtimin e hershëm në Azi, ndërsa kontratat e naftës së Teksasit, për qershorin u rritën me 1.5% në 97.81 dollarë për fuçi.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka dhënë udhëzim që uraniumi pothuajse në nivel armësh që ndodhet në vend të mos dërgohet jashtë, raportoi Reuters duke cituar burime iraniane.

Kjo vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni ndodhej në “fazat finale” të negociatave me Iranin, sipas një raporti të mediave që shoqërojnë presidencën.

Shqetësimet për furnizimet me naftë vazhdojnë të mbeten, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se, me rritjen e kërkesës për udhëtime gjatë sezonit veror, tregjet e naftës mund të hyjnë së shpejti në një “zonë të kuqe” pasi rezervat globale po shterojnë.

Zgjidhja më e rëndësishme për goditjen energjetike të shkaktuar nga lufta me Iranin do të ishte rihapja e plotë dhe pa kushte e Ngushticës së Hormuzit, tha drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol, duke shtuar se vendet në zhvillim të Azisë dhe Afrikës do të ndiejnë “dhimbjen më të madhe të kësaj krize”.

“Drejtuesit e kompanive energjetike paralajmëruan se normalizimi i plotë i furnizimit me naftë nga Lindja e Mesme mund të mos ndodhë deri në vitin 2027 për shkak të përmasës së ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti,” thuhej në një raport të fundit nga MUFG.

Lufta me Iranin, e cila nisi në fund të shkurtit, ka ndërprerë trafikun përmes Ngushticës së rëndësishme të Hormuzit, nga ku para luftës kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në nivel global./CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë