Drejtësia

‘Sterilizimi’, Beqaj del jashtë kafazit dhe kërkon të shpallet i pafajshëm

Gazeta Si – Për herë të parë që nga arrestimi i tij, Ilir Beqaj ka dalë jashtë kafazit në seancën gjyqësore. Në Gjykatën e Posaçme, për procesin e “Sterilizimit”, ai është ulur në krah të avokatit të tij, ku po gjykohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjykata argumentoi se Beqaj në këtë proces ka masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, se është vetëm një i pandehur dhe se në vijimësinë e procesit nuk është shfaqur ndonjë specifikë që të cenojë sigurinë.

Për shkak të masës së butë ndaj Beqajt tek “Sterilizimi”, as prokurori i çështjes nuk pati kundërshti për nxjerrjen nga kafazi, por i kërkoi gjykatës të mbajë parasysh faktin se masa “arrest në burg” është për një tjetër çështje.

Ky ndryshim vjen pas kërkesave të vazhdueshme të Beqajt për të dalë nga kafazi me argumentin se nuk mund të bënte një mbrojtje efektive.

Ndërsa e njëjta kërkesë i është refuzuar ish-presidentit Ilir Meta dhe kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Sa i takon gjyqit, përmes avokatit të tij, Beqaj kërkoi pushimin e çështjes, ose pezullimin e saj dhe dërgimin për interpretim në Kushtetuese.

Ilir Beqaj, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga SPAK, duke pretenduar se procedimi penal ndaj tij është shoqëruar me një sërë parregullsish procedurale dhe shkeljesh ligjore.

“Akuza ndaj meje nuk është bindje e prokurorit. Nga fillimi i procedimit deri 28 maj 2025, ky procedim ka kaluar nga parregullsia në parregullsi. Deklarohem i pafajshëm për akuzën”, u shpreh Beqaj.

Beqaj renditi 16 parregullsi që sipas tij kanë shoqëruar hetimin, duke nisur nga pengesat për njohjen me dosjen hetimore, mungesa e njoftimit të Avokaturës së Shtetit, deri te hetimet që ai i konsideron të kryera jashtë afateve ligjore.

Ai pretendoi se SPAK i ka kufizuar të drejtën për mbrojtje efektive, duke i dhënë vetëm një ditë kohë për të shqyrtuar rreth 700 volume të dosjes hetimore. Sipas Beqajt, hetimet për koncesionin kishin nisur vite më parë dhe ishin pushuar nga Prokuroria e Tiranës, çka sipas tij përbën “gjë të gjykuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë