Ka ndodhur

Hetonte shitësit e drogës, prangoset për korrupsion oficeri i OPGJ në Sarandë

Gazeta Si – Një oficer i Policisë Gjyqësore në Sarandë është arrestuar me urdhër të AMP, pasi dyshohet se ishte përfshirë në korrupsion pasiv.

Prokuroria e Sarandës, njofton se Edmond Ruçi është ndaluar në kuadër të hetimeve për një rast të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, konkretisht pas gjetjes së 24 dozave kanabis në një automjet, për të cilat u arrestuan dy persona të tjerë. Hetimet zbuluan të dhëna që lidhnin oficerin e policisë në këtë çështje.

Sipas informacioneve paraprake, pajisjet e përgjimit ishin vendosur me urdhër të Prokurorisë në dhomat e shoqërimit teksa 2 shpërndarësit e lëndëve narkotike ishin ndaluar dhe ndodheshin në komisariat.

“Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë. Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më herët, janë arrestuar disa punonjës policie në qytetin bregdetar, si të përfshirë në favorizime sa i përket një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi. Në pranga përfundoi edhe shefi i komisariatit!

Për rastin, u arrestuan edhe 8 persona të cilët punonin në objekt si dhe një grua e cila posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.

Nga hetimet rezulton se funksionarët e policisë kanë lejuar ndërtimin pa leje, duke mos marrë masat e nevojshme për ndërprerjen e paligjshmërisë.

Ata dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë