Ekonomi

Borxhi i jashtëm ndaj PBB-së ra nga zhvlerësimi i euros, por në të vërtetë u rrit

Nga Gazeta ‘SI’– Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë zbriti në 37.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2025, me një rënie domethënëse prej 2.7 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Sipas raportit të Banka e Shqipërisë, rënia e peshës së borxhit është ndikuar kryesisht nga forcimi i kursit të këmbimit të lekut ndaj euros, çka ka ulur vlerën relative të borxhit të jashtëm në raport me ekonominë.

Megjithatë, stoku nominal i borxhit nuk është ulur, ai arriti vlerën e 10.276 mln eurove, me rritje vjetore 1.1%. Rritja vjen si rezultat i zgjerimit të borxhit të sektorit privat, me rreth 16%, kryesisht depozitat e të huajve në Shqipëri. Borxhi i privatit është sa 8.8% e PBB-së kombëtare.

Në një ndarje më të detajuar sipas sektorëve, “qeveria e përgjithshme” mban peshën kryesore të borxhit të jashtëm, me rreth 44.3% të totalit. Pjesa tjetër ndahet mes korporatave depozituese (përjashtuar bankën qendrore) me 23.3%, sektorëve të tjerë të ekonomisë me 14.6%, huave ndërkompani të investimeve të huaja direkte me 15.8% dhe autoritetit monetar me 2.1%.

Raporti evidenton gjithashtu një ndryshim në mënyrën e financimit të borxhit publik. Sipas Bankës së Shqipërisë, janë shtuar detyrimet në formën e dëftesave dhe obligacioneve, duke reflektuar një orientim më të madh drejt financimit përmes tregjeve financiare dhe instrumenteve si eurobondet.

Në ndarjen sipas maturitetit, borxhi afatgjatë përbën rreth 89.5% të totalit, ndërsa borxhi afatshkurtër rreth 10.5%, çka konsiderohet strukturë më e qëndrueshme për menaxhimin e detyrimeve.

Raporti evidenton gjithashtu përmirësim të aftësisë paguese të vendit. Treguesit afatgjatë të ripagimit të borxhit janë përmirësuar gjatë vitit 2025, të ndikuar nga rritja e eksporteve dhe e të ardhurave fiskale. Raporti i borxhit të jashtëm ndaj eksporteve të mallrave dhe shërbimeve ra në 90.8%, nga 97.2% një vit më parë, ndërsa raporti i borxhit ndaj të ardhurave fiskale zbriti në 133.2%, nga 142.4%.

Një tjetër tregues pozitiv, sipas Bankës së Shqipërisë, është kalimi i borxhit të jashtëm neto në territor negativ. Në fund të vitit 2025, ai vlerësohet në -7.9% të PBB-së, me një përmirësim prej 4.3 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Kjo do të thotë se aktivet që rezidentët shqiptarë mbajnë jashtë vendit janë më të larta se detyrimet ndaj kreditorëve të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë