Keshilla

Pesë minuta ushtrime në ditë mund të ndihmojnë miliona njerëz të jetojnë më gjatë

Studimet e fundit tregojnë se edhe një rritje shumë e vogël e aktivitetit fizik në jetën e përditshme mund të ketë ndikim të madh në shëndet dhe jetëgjatësi.

Vetëm pesë minuta ushtrime të moderuara në ditë, si ecja e shpejtë, ngjitja e shkallëve apo çiklizmi, mund të ndihmojnë në parandalimin e rreth 10% të vdekjeve të parakohshme, duke përmirësuar ndjeshëm mirëqenien fizike dhe mendore.

Hulumtimi, i bazuar në të dhëna nga rreth 150 mijë të rritur në disa vende, tregon se përfitimet nuk kërkojnë stërvitje intensive apo ndryshime drastike në stilin e jetesës. Edhe ulja e kohës së kaluar ulur, për shembull me 30 minuta më pak në ditë, lidhet me një rënie të rrezikut për vdekje të hershme.

Ekspertët theksojnë se aktiviteti fizik ndikon pozitivisht në forcën muskulore, shëndetin e kockave, funksionin e trupit dhe ul stresin.

Po ashtu, shpërndarja e lëvizjes në pjesë të vogla gjatë ditës, të ashtuquajturat “ushtrime të shkurtra”, mund të përmirësojë shëndetin e zemrës dhe metabolizmin, duke qenë më e lehtë për t’u integruar në rutinë.

Në thelb, mesazhi kryesor është se qëndrueshmëria dhe zakonet e vogla bëjnë diferencën- më shumë lëvizje gjatë ditës, edhe në forma të thjeshta, mund të çojnë në një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë