Taksa

Subjektet, 20 ditë kohë për të bërë ‘paqe fiskale’ me Tatimet

Nga Gazeta ‘SI’– Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar udhëzimin për përcaktimin e afatit dhe procedurës së aplikimit për lidhjen e marrëveshjes së “Paqes Fiskale” për vitin tatimor 2026.

Sipas udhëzimit, aplikimet do të kryhen elektronikisht nga data 15 maj 2026 deri më 5 qershor 2026. Çdo kërkesë e paraqitur pas këtij afati do të refuzohet.

Tatimpaguesit që plotësojnë kushtet ligjore duhet të aplikojnë përmes sistemit e-filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, “Pyetje e përgjithshme”, duke ngarkuar formularin përkatës të aplikimit për marrëveshjen e paqes fiskale. Aplikimi konsiderohet i dorëzuar pasi sistemi konfirmon regjistrimin dhe gjeneron një numër unik të çështjes.

Në rast se gjatë verifikimit paraprak konstatohet mungesë apo pasaktësi në dokumentacion, tatimpaguesi do të njoftohet elektronikisht dhe do të ketë tre ditë pune kohë për plotësimin e tyre. Mosplotësimi brenda afatit sjell refuzimin e aplikimit.

Administrata tatimore bën të ditur se vendimmarrja mbi aplikimet do t’u komunikohet tatimpaguesve brenda pesë ditëve kalendarike, por jo më vonë se 10 qershor 2026. Në rast miratimi, marrëveshja e paqes fiskale do të nënshkruhet nga drejtoria rajonale tatimore përkatëse dhe më pas do t’i vihet në dispozicion aplikuesit.

Tatimpaguesit që do të kryejnë rideklarim të pasqyrave financiare për vitet 2023, 2024 dhe 2025 duhet, deri më 30 qershor 2026, të paguajnë detyrimet tatimore sipas ligjit dhe të dorëzojnë dokumentacionin përkatës në sistemin e-filing, përfshirë pasqyrat financiare të rideklaruara në format PDF dhe Excel.

Sipas udhëzimit, për çdo ndryshim në pasqyrat financiare duhet të jepen edhe sqarimet përkatëse sipas legjislacionit të kontabilitetit, ndërsa administrata tatimore rezervon të drejtën të kërkojë informacion shtesë për ndryshimet e deklaruara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë