Gazeta Si – Forcat RENEA, të mbështetura nga policia, kanë zhvilluar që në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje kontrolle në disa zona të Mirditës, pas informacioneve se në Shqipëri mund të kishte hyrë Elson Reçi, i shpallur në kërkim nga SPAK që prej 15 majit 2024.
Kontrollet janë shtrirë edhe në banesën e tij në Mirditë, si dhe në ambiente të tjera të lidhura me të, por pa rezultat. Ai nuk është gjetur në asnjë prej vendeve të kontrolluara.
Më vonë, nga verifikimet e kryera rezultoi se në territorin shqiptar kishte hyrë vëllai i tij dhe jo vetë Elson Reçi.
Elson Reçi është i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi dyshohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për tentativën e vrasjes me tritol në makinën e Preng Gjinit, i cili mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi.
Në makinën me të cilën udhëtonte Gjini, i ishte vendosur një sasi tritoli 400 gramë C4, në pjesën e përparme, me shpërthim të kontrolluar në distancë.
Në dhjetor 2025, SPAK dërgoi në gjyq dosjen ndaj 3 grupeve kriminale, ku mes tyre njoftoi se ka zbardhur edhe tentativën e vrasjes së Preng Gjinit në shtator 2020 me shpërthim të telekomanduar në Tiranë te ura e Selitës.
“I pandehuri E.R., (alias Elson Kaçorri), në rolin e drejtuesit të një grupi të strukturuar kriminal në bashkëpunim me të tjerë, ka siguruar kushtet për vrasjen e shtetasit Preng Gjini (alias Preng Badanance)”, – njoftoi SPAK.
Prokuoria e Posaçme e akuzon Reçin si porositësin e këtij atentati. Ai rezulton të ketë nënkontraktuar 6 persona për të kryer shpërthimin e komanduar ndaj Gjinit.
Atentati dyshohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Reçi e Gjini. Elson Reçi, është nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper nga një tarracë pallati në janar të 2020.
Elson Reçi u shpall në kërkim nga SPAK pas operacionit Metamorfoza 3, që u finalizua më 17 Maj të 2024. Në total nga kjo dosje u nxorën 50 urdhër arreste, për pjesëtarë të 7 grupeve kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje