Gazeta Si – Disa fotografi me armë zjarri, parà dhe qitje në fushë të hapur, kanë bindur SPAK-un të marrë të pandehur 3 anëtarë të dyshuar të grupit “Bajri” në Shkodër: Izmir Sakicaj, Samuel Troshani e Franko Leka.
Tre të rinjtë kishin shkuar për të vrarë Aleksandër Prendin në fshatin Rranxë të Bushatit më 23 gusht 2024, ku shkak i konfliktit dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës, por mes dy grupeve pati një përplasje me armë zjarri.



Sipas burimeve, nga sekuestrimi i celularit të Izmir Sakicës, janë gjetur disa foto dhe video me armë të kalibrave të ndryshëm, automjete të blinduara dhe sasi të mëdha parash, për të cilat dyshohet se mund të lidhen me aktivitetin kriminal.
Në telefon janë gjetur filmime të Sakicës dhe personave të tjerë duke bërë qitje me armë zjarri në zonë në pabanuar.
SPAK ka ngritur akuzat për vrasje në rrethana cilësuese, të mbetur në tentativë, sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes dhe armëmbajtje pa leje, të gjitha në kuadër të grupit kriminal.



Ndërkohë, edhe Aleksandër Prendi akuzohet për vrasje në tentativë, i cili së bashku me Franko Lekën vazhdojnë të jenë në kërkim nga policia.
Sipas hetimeve, Sakica, Troshani dhe Leka, të cilët dyshohen si anëtarë të grupit “Bajri”, së bashku me persona të tjerë me makina të blinduara, u nisën drejt Bushatit për të sulmuar familjen Prendi.



Por sapo mbërritën në Bushat, Aleksandër Prendi i pikasi dhe hapi zjarr ndaj makinave të blinduara. SPAK thotë se në vendngjarje pati shkëmbim zjarri mes palëve pasi u sekuestruan gëzhoja të ndryshme, ndërsa ende nuk është zbardhur shkaku i përplasjes së armatosur.
Për këtë ngjarje, në burg ndodhen vetëm Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët zgjodhën të vetëdorëzohen në polici, pasi ishin në kërkim për një sherr të ndodhur në Shkodër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje