Ngjarje

Helmimi i studentëve të policisë, AKU konfirmon kontaminim, pavarësisht deklaratave për ushqim cilësor

Nga Gazeta Si- Pasi përfaqësuesi i Akademisë së Sigurisë tha se ushqimi që konsumonin studentët e helmuar ishte i standardeve të mira, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar, duke thënë se analizat laboratorike kanë nxjerrë kontaminim të makaronave me E.Coli dhe Stafilokok.

Sipas AKU-së, janë marrë në analizë nëntë mostra ushqimore, përfshirë lëndë të para dhe produkte të gatshme. Nga rezultatet e laboratorit të referencës pranë Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë rezultoi se tetë mostra ishin brenda normave, ndërsa një kampion me makarona të gatshme kishte ngarkesë mbi normë të bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv.

Për këto gjetje AKU ka bllokuar kompaninë Sori-Al deri në plotësimin e kërkesave ligjore për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.

Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare.

56 studentë të policisë u helmuan një javë më parë pasi kishin konsumuar drekën në mensë.

Një ditë pas helmimit të tyre, kreu i Policisë së Shtetit Skënder Hitaj foli për çështjen, duke thënë se aktiviteti i kompanisë ‘Sori-Al’ nuk ishte ndërprerë pasi ka edhe disa institucione të tjera ku vepron.

“Edhe sot kemi vazhduar me të njëjtën kompani. Dje u bë bllokimi i lëndëve apo sasive ushqimore të përdorura nga studentët. Kompania vazhdon të furnizojë studentët edhe sot. Do të vendoset më tej se si do të operohet në vazhdim”, tha Hitaj.

Ndërsa Milton Nushi, administratori i Akademisë së Sigurisë theksoi se ushqimi i ofruar në Akademi “është i standardeve shumë të mira”.

Ai pranoi se mund të ketë pasur ankesa nga studentët lidhur me larmishmërinë e menuve, por jo për cilësinë e ushqimit.

“Ushqimi është i standardeve shumë të mira”, tha ai.

Helmimi me Stafilokok me anë të ushqimit shkaktohet nga produktet ushqimore që janë të kontaminuara. Stafilokoku ka një tolerancë të lartë ndaj kripës, dhe mund të rritet në lloje të ndryshme produktesh. Shkaku më i zakonshëm i kontaminimit të ushqimit është përmes punonjësve të cilët që mbartin këtë bakter.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë