Dosje

SMS, kodet dhe mbledhja e paràve në biznesin e drogës nga Ekuadori të bosit shqiptar Dritan Gjika!

Organizata ndërkombëtare gazetareske OCCRP mori mijëra mesazhe të koduara nga shqiptari Dritan Gjika, të cilat ilustrojnë se si vepronte organizata e tij transatlantike nga Ekuadori. Ky rrjet, i cili transportonte tonelata me kokainë dhe miliona dollarë, kishte mbështetjen e oficerëve të policisë dhe zyrtarëve në portet ekuadoriane

Gazeta Si – Nga kontratat e furnizuesve, deri te problemet logjistike, detajet e operacioneve të bosit shqiptar Dritan Gjika, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash në Ekuador, gjenden në mijëra biseda dhe mesazhe që u publikuan së fundmi në një hetim nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP).

Kjo organizatë ndërkombëtare lajmesh fitoi qasje në qindra faqe me regjistra bisedash nga platforma e mesazheve të koduara “SkyECC”, të cilat Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit i paraqiti si provë në procedurat ligjore kundër 49-vjeçarit shqiptar dhe organizatës së tij. Mesazhet mbulojnë një periudhë midis majit 2020 dhe marsit 2021.

Gjika u arrestua në Abu Dhabi në maj 2025. Pavarësisht kalimit të një viti, ekstradimi i tij nuk është finalizuar ende.

OCCRP kërkoi koment nga Ministria e Punëve të Jashtme, por nuk mori përgjigje. Në Ekuador, avokatët e Gjikës i mohuan akuzat në seancën paraprake. Ata gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave të OCCRP për koment.

Sipas këtij hetimi, bisedat ofrojnë “detaje të hollësishme se si funksiononte kjo organiatë “shumëkombëshe” e kokainës, nga kontratat mujore me furnizuesit, deri te pikat specifike të mbledhjes së parave cash të përdorura për të marrë fitimet e saj.

Mesazhet tregojnë se si grupi kapërceu pengesat logjistike dhe bëri inovacione për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve nga autoritetet”.

Bisedat, shtojnë gazetarët, gjithashtu “zbulojnë infiltrimin e thellë që ky grup arriti në policinë dhe autoritetet portuale të Ekuadorit, një vend që vitet e fundit është bërë një superautostradë për kokainën”.

Këto janë 7 zbulimet kryesore nga hetimi i OCCRP:

1.Gjika, një biznesmen kërkues, i kujdesshëm dhe me njohuri të shkëlqyera të spanjishtes. Artikulli fillon me një dialog midis shqiptarit dhe një bashkëpunëtori.

“Zotëri, nuk është mosbesim, është respekt! … Gjithçka shkoi mirë, ju ratë dakord për një çmim së bashku që ju përshtatej të dyve! Nuk kam pse të pres derisa ta shes ngadalë për t’u paguar!”, – i thotë Gjika bashkëbiseduesit të tij.

Ata po diskutonin shitjen e një “materiali” që ishte dërguar në një kontejner nga Ekuadori në Spanjë. Gjika, dukshëm i mërzitur, po kërkonte pagesën, sepse kishte kaluar një javë që nga dorëzimi.

Sipas Zyrës së Prokurorit, organizata e Gjikës ishte e përkushtuar për të dërguar sasi të mëdha droge nga Ekuadori në destinacione të ndryshme në Evropë, përfshirë Belgjikën, Holandën dhe Spanjën. Zyra e Prokurorit e quajti këtë rast “Operacioni Pampa”.

“Gjika zakonisht nuk i linte gjërat në dorë të fatit”, thotë hetimi i OCCRP, i cili shton se shqiptari ishte i përfshirë drejtpërdrejt në pothuajse çdo fushë të operacioneve të tij, nga punësimi i shoferëve, deri te llogaritja e saktë e borxheve të papaguara.

“Ai vlerësonte besueshmërinë dhe diplomacinë dhe duket se kishte ngjallur besnikëri të fortë te kolegët e tij”, thuhet në artikull.

Imazh i përfshirë në një raport policie që tregon Dritan Gjikën (majtas) dhe burra të tjerë të dënuar ose të akuzuar për përkatësi në organizatën kriminale që ai dyshohet se drejtonte, duke darkuar së bashku në një restorant italian në Ekuador

“Do të të mbështes për aq sa më thua ti, vëlla… dhe me sytë mbyllur”, është një frazë tjetër që shfaqet në bisedat e njërit prej furnizuesve të tij të mundshëm kolumbianë.

Bisedat ilustrojnë gjithashtu “zotërimin e tij të habitshëm të spanjishtes të mbushur me zhargon, duke i dërguar mesazhet e tij me përshëndetje dhe fraza bisedore”, sipas organizatës gazetareske.

Për shembull, ai përdori terma si “caja” për t’iu referuar një kontejneri, “coses” për të folur për pako kokaine dhe “feos” për të aluduar policinë. Por ai përdori edhe gjuhë të fshehtë, kur përpiqej të diskutonte detajet e punës së tij, shton hetimi.

“…e vërteta është se ne thjesht po punojmë, jo duke shitur vezë me shumicë për të marrë zbritje… kështu mendoj unë për gjërat, vëlla”, thotë Gjika në një bisedë tjetër, ku ai e përshkruan hapur punën e tij.

Gazetarët shqyrtuan qindra faqe me regjistra bisedash që prokurorët i përzgjodhën si prova

2.Shqipëria po heton Gjikën. Dritan Gjika, i njohur edhe si Tony, është 49 vjeç. Pak informacion është i disponueshëm për të në vendin e tij.

Sipas OCCRP, ai zotëron një restorant tradicional ushqimor në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Policia shqiptare nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me të dhënat kriminale të Gjikës, por prokurorët Antikorrupsion në vend, raportuan se një hetim paraprak është duke u zhvilluar kundër tij.

Megjithatë, Europoli e njeh mirë shqiptarin. Robert Fay, kreu i njësisë anti-drogë të Europolit, i tha OCCRP se Gjika kaloi nga një ndërmjetës logjistik për grupe të tjera të krimit të organizuar, në konsolidimin e kontrollit mbi rrjetin e tij në Ekuador.

Gjika mbërriti për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme vizitori. Po atë vit, mbërritën edhe shqiptarë të tjerë, të cilët janë akuzuar si bosë të mëdhenj të drogës në mafien ballkanike, sipas hetimeve të mëparshme.

Në Ekuador, emri i Gjikës doli në dritë pas një serie rrjedhjesh informacioni arritën në rrethin e ngushtë të ish-presidentit Guillermo Lasso.

Gjika ishte një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Rubén Cherres, një mik i Danilo Carrera, kunatit të Lasso-s. Cherres u vra në vitin 2023. Në vitin 2024, Carrera u dënua me 10 vjet burg për krim të organizuar.

Detajet e identitetit të Dritan Gjikës, siç deklarohen në një raport policie të përfshirë në dosjen e Prokurorit

3.Një rrjet i gjerë biznesi në Spanjë dhe Ekuador. OCCRP zbulon se gati 70 individë dhe subjekte ligjore po hetohen në Spanjë në lidhje me rastin “Pampa”. Shtetasi argjentinas-italian, Mario Sánchez Rinaldi u arrestua në Spanjë në shkurt të vitit 2024.

Sipas Policisë Spanjolle, Sánchez Rinaldi ishte një tjetër udhëheqës i organizatës, i cili “kontrollonte një gamë të gjerë kompanish – kompani të dedikuara për prodhimin dhe eksportin e bananeve nga Ekuadori në Europë, qendra sportive në Marbella, qendra tregtare në Granada dhe biznese mikpritjeje dhe jetë nate – mbi të cilat u zbuluan prova të financimit të fshehur pas një pamjeje të ligjshme tregtare”.

Gjykata Kombëtare Spanjolle, në letrat e dërguara Ekuadorit dhe Francës, e përshkruan Sánchez Rinaldi si një “biznesmen të rëndësishëm” me bazë në Costa del Sol, i cili drejtonte një “organizatë të fuqishme ligjore” biznesesh për importin dhe eksportin e ushqimit, e cila lehtësonte trafikimin e kokainës në porte të tilla si Algeciras, në Spanjë.

Në rastin e Ekuadorit, Gijka, Sánchez Rimaldi dhe individët e tjerë të përfshirë – përfshirë të afërmit e tyre – zotëronin ose menaxhonin më shumë se 30 kompani në vend, sipas hetimit gazetaresk.

Zyra e Prokurorit akuzoi tre nga këto kompani për trafik droge; dy prej tyre ishin të përfshira në eksportin e bananeve.

Avokatët në Ekuador të Sánchez Rimaldi, i cili mbetet në paraburgim, i thanë OCCRP se nuk ishin të autorizuar të komentonin mbi çështjen.

Gjatë gjyqit, prokuroria në Ekuador paraqiti prova që, sipas tyre, demonstronin lëvizje të paligjshme parash prej më shumë se 43.4 milionë dollarësh midis viteve 2015 dhe 2023.

Një foto nga një raport i policisë ekuadoriane tregon një Toyota të kuqe të identifikuar si automjeti që Gjika po drejtonte në Guayaquil

4.Dërgesa të mëdha. Bisedat e publikuara nga OCCRP zbulojnë marrëveshjet në shkallë të gjerë të Gjikës me furnizuesit e tij kolumbianë.

Në këto biseda, shqiptari kërkon një minimum prej dy tonësh në muaj. “Jam i interesuar, por ajo që më tremb pak, është se nuk i njoh njerëzit. Ju njoh dhe dukeni shumë serioz dhe të thjeshtë”, – i tha Gjika furnizuesit të tij.

Në një bisedë tjetër, ai përmend një kontratë prej gjashtë tonësh. “Do t’i bëj ato gjashtë tonë pa problem; më duhen vetëm paratë paraprakisht,” u përgjigj bashkëbiseduesi i tij.

Por bisedat zbulojnë edhe pengesat e biznesit të paligjshëm. Në një bisedë, të datës 1 shkurt 2021, shqiptari i tregon furnizuesit të tij, se pesë nga njerëzit e tij u arrestuan.

Kjo ndodhi në provincën e Los Ríos kur ata po transportonin gjysmë ton kokainë në një kamion, të paketuar në pako 1 kilogramëshe të shënuara me logon “ÚNICO”. Një nga bisedat që lidheshin me këtë rast ishte si më poshtë:

GJIKA: Hej mik, mirëmëngjes, sapo më kapën djemtë

GJIKA: E hoqën këtë sot! Shpresoj të mos kem probleme.

Përdoruesi i Sky: Ku i kapën, zotëri?

GJIKA: Në fshat

Përdoruesi i Sky: A u kapën me sendet e tyre, apo çfarë ndodhi?

GJIKA: Nuk di asgjë tjetër, mik.

Një burrë duke përpunuar gjethe koka në zemër të Amazonës, në Kolumbi, në nëntor 2023

5.Një operacion ndërkombëtar në shkallë të gjerë. Bisedat e ekspozuara ofrojnë gjithashtu një pamje globale të operacioneve të dyshuara të shqiptarit nga Ekuadori në porte të ndryshme evropiane dhe aziatike.

Ndër portet e përmendura, janë ato në Holandë dhe Belgjikë, Turqi, Itali, Spanjë, Gjermani, Marok dhe Portugali.

“Tetë kuti po nisen”, “kjo kuti u nis javën e kaluar”, “miku nga Maersk më dha kutitë” janë disa nga frazat që gjenden në biseda.

Por ka edhe biseda për dërgesa në destinacione më të largëta si India dhe Rusia. “Sot më dhanë tashmë një të thatë (zhargon për një kontejner jo të frigoriferizuar)”, thotë një tjetër nga bisedat.

Që nga fillimi i çështjes, Zyra e Prokurorit të Ekuadorit pohoi se kjo bandë rekrutonte zyrtarë nga portet kryesore të vendit për të marrë informacion të privilegjuar.

Ky infiltrim është i qartë në biseda. “Nuk ka rëndësi se cili port është, do ta nxjerrim jashtë, mos u shqetësoni”, është një nga deklaratat e Gjikës.

Në një bisedë tjetër, ai thotë: “Zotëri, unë do të marr përgjegjësinë për portet!!” “Miqtë e mi brenda do të më japin paratë tani që të mund të filloj punën për një orë maksimumi”, është një tjetër mesazh që Gjika mori në gusht 2020.

Në procedurat ligjore në Ekuador, tre oficerë policie ishin të përfshirë: njëri u dënua, një tjetër u lirua nga akuzat dhe një i tretë ka qenë në arrati që nga viti 2024. Oficeri i dënuar ishte Héctor Pesántez. Ai gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesave të OCCRP për koment.

Sipas prokurorisë, ai ishte përgjegjës për rekrutimin e anëtarëve të tjerë në pozicione mbikëqyrëse për të lehtësuar trafikimin.

Në biseda, ai i thotë Gjikës se ka kontaktuar “miq”. “Ata më informojnë se tashmë ka pasur ndryshime në personel, madje edhe drejtori kombëtar kundër narkotikëve është i ri, ata kanë ndryshuar sistemin e ditëve të pushimit”, është një tjetër nga mesazhet e gjetura në biseda.

Porti i Guajakilit, Ekuador

6.Metoda të sofistikuara të trafikimit të ngarkesave. Në bisedat e publikuara, Gjika përmend “grepin e verbër”, i cili është metoda më e zakonshme për trafikimin e ngarkesave të ligjshme me drogë. Ai konsiston në hapjen e një kontejneri dhe futjen e pakove ose valixheve që përmbajnë lëndë narkotike.

Por bisedat përmendin gjithashtu përdorimin e pajisjeve të saldimit dhe bojës për të parandaluar skanerin të zbulojë mallrat e paligjshme.

“Skaneri nuk e kap, absolutisht e konfirmuar”, siguron Gjika bashkëbiseduesin e tij. Sipas OCCRP, organizata kriminale ndoshta po përpiqej të ruante drogën brenda strukturës së kontejnerit dhe të fshihte sasi më të vogla, pasi një ngarkesë prej 1.1 tonë u kap në Holandë në vitin 2020.

“Vëlla, betohem për jetën time, droga del çdo javë dhe vjen çdo javë”, është një frazë tjetër që përdor shqiptari në biseda.

Një taktikë tjetër quhet “biznes me biznes”. “Në këtë mënyrë, trafikantët minimizojnë rreziqet e tyre duke kontrolluar drejtpërdrejt kompanitë e eksportit që transportojnë kokainën dhe duke u partnerizuar me importuesit e menaxhuar nga bashkëpunëtorët e tyre”, shpjegon OCCRP.

“Në këtë mënyrë jemi në anën e sigurt… Sepse ai ka kontroll të plotë”, shkroi Gjika për të përshkruar këtë metodë.

Një fragment nga dosja e policisë tregon pamje të ekranit të bisedave në Sky ECC që përshkruajnë pako kokaine të etiketuara me fjalën “BMW”. Kjo ishte një nga disa marka që grupi dyshohet se përdori për të shënuar pakot e tyre të kokainës, përfshirë ato të gjetura në ngarkesën e sekuestruar në Holandë

7.Shpërndarja në Evropë dhe pagesat në para cash. Gjika jo vetëm që merrej me logjistikën e biznesit të paligjshëm në Ekuador, por gjithashtu merrte pjesë në biseda – disa prej të cilave të tensionuara sipas OCCRP – rreth çmimeve, pagesave dhe shpërndarjes së kokainës në Evropë.

Në korrik 2020, Gjika pyeti një bashkëpunëtor, nëse kishte ndonjë “mall në veri” dhe shtoi: “Më duhet në Spanjë, nuk ka asgjë”.

Kontakti i tij, i cili sipas Ekuadorit ishte një koordinator i mundshëm i dërgesave të kokainës në portin spanjoll të Algeciras, ofroi: “Nëse e ke në Holandë, mund të gjej një kamion për ta sjellë në Spanjë”.

Bisedat, shton OCCRP, zbulojnë negociatat intensive dhe metodat e përdorura për të mbledhur fitimet. “Ata përdorën pika klandestine të mbledhjes së parave cash, që duket se operojnë nga qytete në të gjithë botën, nga Kali (Kolumbi) në Madrid (Spanjë), Bruksel (Belgjikë) dhe Birmingham (Angli)”.

Hetimi shton se organizata operonte me sasi të mëdha parash. Për shembull, autoritetet spanjolle sekuestruan një milion euro të fshehura në një automjet në Barcelonë.

Bisedat përmbajnë referenca të tjera për transferta të mëdha parash. Në dhjetor 2020, Gjika diskutoi një transferim të pesos kolumbiane në Kali të Kolumbisë, me vlerë 2.3 milionë dollarë nëpërmjet Sky.

“Vëlla, më dërgo një tjetër token nëpërmjet Cali-t në mënyrë që të mund të mbyllin marrëveshjen për 8 miliardë (pesos kolumbiane)”, i shkroi ai një kontakti.

“Tokenat” i referohen “një vargu numrash – zakonisht numri serial i një kartëmonedhe dollari ose euroje – që përdoret si një lloj fjalëkalimi i ndarë me arkëtarin për të siguruar që paratë t’i dorëzohen marrësit të saktë”, shpjegon OCCRP.

Në Quito (Ekuador), policia lidhi një restorant kinez me këtë shërbim dhe një qytetar kinez u dënua për pastrim parash.

Ai mohoi se ishte pronar i restorantit dhe apeloi vendimin. Megjithatë, një bisedë nga gushti 2020 përmban biseda rreth mbledhjes së parave në atë restorant:

Përdoruesi i Skype: Për kë po pyes?

GJIKA: Për askënd, vëlla, thjesht i thuaj të tërhiqet

Bashkëbiseduesi i tij – i cili u dënua për bashkëpunim me organizatën e trafikimit – i informon shqiptarit se “kinezi” nuk kishte para të mjaftueshme.

Përdoruesi i Skype: Kinezi është i vogël

Përdoruesi i Skype: Unë mblodha vetëm 360

GJIKA: Ok, sa 400?

Përdoruesi i Skype: Chino thotë pjesën tjetër të martën

Përdoruesi i Skype: Jo vetëm 360

GJIKA: Hahaha në rregull

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë