Politike

Rama i përgjigjet Berishës për prokurimet publike: Jemi shumë më mirë se shumë vende të BE

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha pas akuzave të tij se integriteti i Prokurimeve Publike ka rënë me 14 pikë.

Berisha akuzoi kryeministrin se mashtroi qytetarët duke nxjerrë shifra të pasakta, por shefi i qeverisë përmes një postimi në X, thotë se Shqipëria ka pasur një rezultat të mirë në portalin evropian të matjes së integritetit, ku u përfshi për herë të parë.

“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie!  Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europia, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjëlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten”, shkruan Rama.

Më tej, ai shprehet se Shqipëria sipas tij sot vlerësohet si kurrë më parë në fushën e Prokurimeve ndërsa shton se është bërë një progres i ndjeshëm.

Sipas tij, me ministren virtuale Diella, niveli i integritetit dhe shpejtësisë në këtë fushë do të arrijë atë europian.

“Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”, shton Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë