Gjykata e Sarandës ka caktuar masën “Arrest në burg” për 31-vjeçarin Kostandin Vogli, i cili ndodhet i shtruar në spitalin “Petro Nako” në Sarandë, nën masa sigurie, pas plagosjes me armë zjarri në këmbë. Ndërkohë, ka lënë në fuqi masën “arrest në shtëpi” për 50-vjeçarin Viktor Ruçi.
Ishte pikërisht konflikti i pronësisë së këtyre dy personave, për një Beach-Bar në bregdetin e Bashkisë Himarë, ai që degjeneroi më pas në sherr me sende të forta e deri në vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, mbrëmjen e 7 majit në Gjashtë të Sarandës.
Seanca për Voglin u zhvillua në ambientet e spitalit, ku prokurorja e çështjes, Armida Kaçi, kërkoi masën “arrest në burg” për akuzat “Moskallëzim i krimit”, “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim dhe “Kanosje” e kryer në bashkëpunim.
Gjyqtari Mikel Hysometaj pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën “arrest në burg” ndaj Voglit. Megjithatë, Gjykata mbajti një qëndrim të ndryshëm nga Prokuroria sa i përket cilësimit juridik të ngjarjes. Sipas Gjykatës, mbi bazën e akteve të paraqitura deri në këtë fazë, fakti juridik duhej të cilësohej si “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Moskallëzim i krimit” dhe “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje