Drejtësia

Ilir Meta mbetet në burg, GJKKO ‘rrëzon’ vendimin e Gjykatës së Lartë

Gazeta Si – Edhe pse Gjykata e Lartë vendosi të ndryshojë pjesërisht praktikën e paraburgimit, Gjykata e Posaçme la në qeli sot ish-presidentin Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurisë për akuzat e korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë.

Vetë Meta nuk ishte i pranishëm dhe në seancë u përfaqësua nga avokati. Kujtim Cakrani tha se kërkohet masë më e lehtë, referuar edhe vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë për paraburgimet.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, theksoi Cakrani, “detyron prokurorinë të vlerësojë së pari masa alternative dhe të argumentojë me prova nevojën pse një individ duhet të qëndrojë në paraburgim”.

Sipas tij, Ilir Meta “nuk ka rrezikshmëri për arratisje dhe e as rrezik të prishë provat, përfshirë faktin që në çështje nuk ka dëshmitarë të mbrojtur, çka mund të rëndonte pozitën e tij”.

Por, prokurori Sotir Kllapi hodhi poshtë pretendimin e avokatit të Metës, se vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë, legjitimonte lirimin e kryetarit të Partisë së Lirisë.

Prokurori vuri në dukje se rrezikshmëria shoqërore është evidente dhe nuk ka rrethana për zbutjen e masës së sigurimit. Po sot pritet të mbahet edhe seanca e gjyqit në themel ndaj Metës dhe të pandehurve të tjerë të dosjes.

Gjatë seancë, Cakrani mori shembull vendimin e Gjykatës së Lartë, që liroi ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe ia zëvendësoi masën e arrestit në shtëpi në detyrim paraqitje.

“Gjykata duhet të parashohë rrethanat dhe rrezikshmërinë e individit, duhet arsyetuar nga gjykata pse mbahet në paraburgim një individ. Gjykata e Lartë liroi Mirlinda Karcanajn që akuzohet për grup kriminal, ndërsa Meta mbahet prej 19 muajsh në paraburgim”, theksoi avokati.

Ish-presidenti kërkoi nga Gjykata e Posaçme t’i zëvendësojë masën “arrest në burg”, në të cilën qëndron prej tetorit 2024, me atë të “garancisë pasurore”, “detyrimit për paraqitje”, ose “ndalimit të daljes jashtë vendit”. 

Më 4 maj, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e radhës për liri të ish-presidentitr Meta, ndërsa më herët, të gjitha kërkesat e tij për zbutje të masës, në të tre shkallët e gjykimit, janë refuzuar.

Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.

Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut. Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë