Politike

Kryemadhi: Gjimnazistët t’i bashkohen protestës së studentëve

Protesta e studentëve e shpallur me 7 janar po angazhon dukshëm edhe partitë politike të opozitës. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një takimi i organizuar nga LRI-ja ka bërë thirrje që pjesë e kësaj proteste të jenë edhe gjimnazistët.
“Prandaj është koha për t’u ngritur. S’ka nevojë për të shkuar në anarki, sepse nuk janë aq trima ata që të presin deri te anarkia, mjafton që ju të jeni të gjithë të bashkuar. Mesazhi i studentëve ka qenë shumë i qartë: Të bashkuar kemi për të fituar! Po u bashkuan edhe gjimnazistët në protestën e studentëve që në thelb të saj është vazhdimësi e juaja, sepse vitin tjetër pjesa më e madhe e juaja do të jenë studentë, kjo do të jetë një nga fitoret më të mëdha që ka arritur rinia shqiptare, duke lënë 100 hapa mbrapa politikën shqiptare, e cila ka nevojë për ndërgjegjësimin tuaj që për hir të së vërtetës, është ndërgjegjësimi që fëmijët i bëjnë prindërve të tyre”, theksoi Kryemadhi.

Më tej kryetarja e LSI-së ka theksuar se drejtorët e gjimnazeve po ushtrojnë presion ndaj gjimnazistëve për të dalë në protesta.
“Ne nuk kemi mësues, të cilët protestojnë për paga të ulëta, për kushte të dobëta. Sepse janë militantë partie, të cilët futen në sistemin arsimor vetëm për shkak të angazhimit të tyre politik. Dihet qartë mos të marr gjithë listën e drejtorëve të gjimnazeve të Tiranës, qoftë drejtoresha e Sami Frashërit apo e Petro Ninit apo e Qemal Stafës apo ai i gjimnazit të Paskuqanit, ku është një drejtor me mbiemër Noka, i cili ashiqare ushtron presion ndaj nxënësve. Ju lutem shumë denoncojini, sepse do të jemi ne ata t’i falim. Do t’ju bëjmë ne presion atyre, sepse nuk mund t’ju bëjnë ata presion ju. Iku koha e presionit, iku koha e spiunëve të Sigurimit të Shtetit që ju nuk i dini. Ju iu duken si përralla, siç na tregonin ne përralla me mbretër që luftonin me shpatë. Kështu kemi luftuar dhe ne njëherë e një kohë me disa spiunë sigurimi, të cilët Edi Rama i ka kthyer duke i bërë drejtorë shkollash, duke ruajtur e përgjuar nxënësit, apo duke iu marrë telefonat nxënësve” , theksoi Kryemadhi.

Ajo bëri të ditur se opozita do të paraqesë edhe nisma të tjera ligjore sa i për çështjes së arsimit, por sipas LSI-së primare mbetet rrëzimi i ligjit “Për Arsimin e Lartë”.

“Reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por bëhet me punë, bëhet me përkushtim dhe mbi të gjitha bëhet me një angazhim dhe një vullnet politik të qeverisë, gjë e cila nuk vjen si rezultat i një partie politike, por reforma në arsim duhet të vijë si rezultat i një bashkëpunimi kombëtar. Pse e themi këtë kombëtar? Sepse partitë politike dhe qeveritë ndryshojnë sipas humorit të kryeministrit, por reforma në arsim, sistemi në arsim nuk mund të ndryshojë sa herë t’i dojë qejfi ministrit apo ministres apo drejtorit të përgjithshëm të arsimit të lartë apo të arsimit të mesëm e kështu me radhë. Do të shkojmë drejt abrogimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili është një ligj që për hir të së vërtetës ka ndryshuar të gjithë formën për shkak të akteve nënligjore që ka nxjerrë qeveria, që janë në funksion të individëve të caktuar dhe jo të universitetit, të krijimit të një universiteti autonom, por në krijimin e një universiteti që i merr dhe i asfikson dalëngadalë”, theksoi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë