Nga Gazeta ‘SI’- Në katërmujorin e parë 2026, shqiptarët kanë blerë më shumë makina elektrike, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shërbimeve Rrugore, nga janari në prill 2026 janë regjistruar 4.155 mjete elektrike, trefish më shumë se në 2025-n. BYD është marka më e preferuar në këtë aspekt, 2.830, ndjekur nga Volkswagen me një diferencë shumë të madhe, 221.
Në raporte mujore, marsi rezulton muaji me interesin më të lartë për mjetet elektrike, interes që sipas shifrave është zbehur në prill. Në total, shifrat e prillit tregojnë një tërheqje të shqiptarëve nga blerja e veturave të reja. Të dhënat flasin për një rënie me rreth 2% të mjeteve të reja, nga prilli 2025 në prill 2026.

Gjatë periudhës vërehet një rënie e fortë, mbi 40%, e makinave benzinë-gaz, duke sinjalizuar ndryshim të preferencave të konsumatorëve midis elektrive dhe konsumit më të sigurt. Ndonëse nafta vijon të dominojë tregun, gjatë prillit interesi për të ka rënë, ndërsa mjetet me benzinë kanë shënuar një rritje prej rreth 12%. Këto shifra duken rezultat i zhvillimeve në tregjet botërore ku çmimi i naftës ka qenë më i lartë se ai i benzinës, fenomen i pazakontë në normalitet.
Ndërsa tregu i mjeteve po tenton të diversifikohet, ai po dominohet gjithnjë e më shumë nga prodhimet aziatike. Koreja e Jugut mbetet importuesi kryesor me 7.414 mjete të dërguara në katër muaj, ndjekur nga Kina me 5.632. Gjermania dhe Italia mbeten më pas me shifra dukshëm më modeste.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje