Ngjarje

Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, arrestohen teknologia dhe kuzhinieri i kompanisë katering

Nga Gazeta Si- Të mërkurën janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.   

Të gjithë studentët morën ndihmën mjekësore dhe kanë dalë nga spitali.

Policia ka arrestuar K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë.

Gjithashtu ka nisur procedimi në gjendje të lirë për R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani si dhe është shpallur në kërkim administratorja e kompanisë, A. T., 52 vjeçe.

Studentët janë ndjerë keq pas konsumimit të drekës në ambientet e Akademisë, duke shfaqur komplikacione që kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore.

Akademia e Sigurisë ka një kontratë me një kompani private, e cila ofron shërbimin e kateringut për tre vaktet ditore të studentëve.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka reaguar për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë. Sipas njoftimit, menjëherë pas paraqitjes në spital të të helmuarve, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor për çdo rast.

“Shërbimi Infektiv dhe Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gjendje gatishmërie pas marrjes së njoftimit, duke shtuar kapacitetet e stafit në shërbim dhe duke garantuar menjëherë stokun e nevojshëm të barnave. Po ashtu, të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit”, thuhet në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë