Rend dhe Ligj

Policia Rrugore: Jo ndalime pa shkak, por kontroll i rreptë për shkelësit

Nga Gazeta Si- Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike Dhimitraq Ziu thotë se ka një perceptim të gabuar në publik për reduktimin e kontrolleve të policisë rrugore.

Ziu thotë se nisur nga perceptimi i gabuar në publik, se drejtuesit e mjeteve nuk do të ndalohen nga patrullat, “sqarojmë opinionin publik dhe përdoruesit e rrugës se nuk do ketë ndalime pa shkak por në akset rrugore nacionale do ketë polici që do të monitorojnë qarkullimin dhe të evidentojnë kundërvajtësit rrugorë nëpërmjet pajisjeve teknologjike”.

Gjithashtu, do të organizohen pika kontrolli në qendrat urbane.

Patrullat e Policisë Rrugore në akset nacionale do të ndërhyjnë kur konstatojnë sjellje agresive në rrugë, parakalime të njëpasnjëshme, manovra të gabuara apo shpejtësi, të cilat janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Ziu tha se shkak kryesor për aksidentet është shpejtësia e lartë.

Policia, në zbatim të telegramit të Drejtorit të Përgjithshëm, për të mos ndaluar pa shkak, do të vijojnë monitorimin e qarkullimit nëpërmjet pajisjeve logjistike dhe patrullave të lëvizshme.

Për sa i përket qendrave urbane, policia do të vijojnë me grupe kontrolli për testet e alkoolit, kontrollet për shpejtësi, parakalimet e gabuara, mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, përdorimin e celularit dhe të rripit të sigurimit.

Ziu thotë se janë analizuar treguesit e performancës për 4-mujorin e vitit 2026, krahasuar me 4-mujorin e vitit 2025 dhe përsëri sjelljet agresive në rrugë duke shkaktuar aksident me pasojë humbjen e jetës apo plagosjen, janë shumë shqetësuese.

Nga analiza e bërë rezulton se dinamika dhe shkaqet e aksidenteve, janë pothuajse të njëjtat si për 4-mujorin e vitit të kaluar.

Përgjatë këtij 4-mujori janë arrestuar 1009 drejtues automjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

82.100 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për shpejtësi mbi normat e lejuara, që variojnë nga 20 km/orë mbi normën e lejuar deri në trefish të normës së lejuar.

815 drejtues automjetesh nuk kanë asnjë pikë në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen testimit nga e para.

27 mijë drejtues automjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara dhe rreth 60 mijë drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa rrip sigurimi, duke përdorur celularin apo për drejtim motomjeti pa kaskë mbrojtëse.

Sipas statistikave, numri më i lartë i aksidenteve me pasojë ka si shkak shpejtësinë dhe më pas vjen sjellja e këmbësorëve, 33% e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash.

“Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Çdo sjellje agresive në rrugë apo ndaj punonjësve të Policisë do të ndëshkohet maksimalisht”, përfundon Ziu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë