Gazeta Si – Në Hungari, këto janë ditët e fundit të qeverisë së kryeministrit Viktor Orbán, pasi humbi zgjedhjet dhe u zëvendësua nga Péter Magyar, me shumë mundësi rreth mesit të majit.
Një gjë që ka ndodhur javët e fundit, është se disa nga biznesmenët dhe bashkëpunëtorët e Orbán brenda partisë së tij Fidesz, po shpërngulen jashtë vendit nga frika se mos hetohen dhe ndiqen penalisht sapo Magyar të marrë detyrën.
Shumë prej tyre kanë frikë nga ndjekja penale për shpërdorimin e fondeve publike dhe dhënien e kontratave duke përdorur metoda të errëta, praktika të konsoliduara gjatë qeverisë së Orbán-it për të cilat Magyar këmbënguli për të fituar mbështetje gjatë fushatës zgjedhore.
Më 25 prill, Magyar publikoi një postim në X në të cilin shkroi se “oligarkët e lidhur me Orbán-in” po dërgojnë “miliarda forinta” jashtë vendit, në vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara dhe Uruguaj.
Orbán-linked oligarchs are transferring tens of billions of forints to the United Arab Emirates, the United States, Uruguay, and other distant countries.
— Magyar Péter (Ne féljetek) (@magyarpeterMP) April 25, 2026
I am aware that Hungary’s National Tax and Customs Administration (NAV), based on reports from banks, has suspended several…
Ai shtoi se familjet e tyre po përgatiten të shpërngulen. Menjëherë pas zgjedhjeve, Magyar akuzoi gjithashtu anëtarët e Fidesz-it për shkatërrimin e dokumenteve kompromentuese, nga frika se ato mund të përdoren në hetime kundër tyre.
Vlerësohet se biznesmenët pranë Orbán-it fituan 28 miliardë euro midis viteve 2010 dhe 2025, kryesisht përmes prokurimeve të parregullta.
Gjatë fushatës zgjedhore, Magyar premtoi të çmontojë sistemin e pushtetit të ndërtuar nga Orbán dhe të ndëshkojë ata që ishin pasuruar në mënyrë të paligjshme.
Në postimin e tij, ai shpjegoi se dinte për transfertat falë të dhënave tatimore hungareze dhe i bëri thirrje zyrës së prokurorit hungarez dhe policisë të ndërhynin.
Ai gjithashtu përmendi Lőrinc Mészáros, një biznesmen dhe mik të Orbán-it. Përpara se Orbán të bëhej kryeministër, Mészáros drejtonte një kompani të vogël që instalonte sisteme gazi. Sot, ai është njeriu më i pasur në Hungari.
Disa gazeta hungareze, si “Magyar Hang” dhe “444.hu”, kanë raportuar se në javët e fundit, Mészáros ka transferuar shuma të konsiderueshme parash nga kompanitë e tij në llogaritë e tij personale, duke lënë të kuptohet se ai mund të largohet nga vendi.

Pas akuzave të Magyar-it, Mészáros i shkroi një letër. Përmbajtja nuk është publike, por grupi që kontrollon kompanitë e tij ka shpjeguar se po përpiqet të ulë tensionet me qeverinë e ardhshme.
Disa gazeta kanë kryer hetime që mbështesin akuzat e Magyárit. Uebsajti hungarez i gazetarisë investigative, “Vsquare” raportoi në mesin e prillit se disa njerëz të afërt me Fidesz kishin filluar “të zhvendosnin pasurinë e tyre nga Hungaria”, nga frika se Orbán do të humbiste zgjedhjet.
Sipas “The Guardian”, disa aeroplanë privatë u nisën nga aeroporti i Vjenës për të transportuar asetet e oligarkëve dhe familjeve të tyre jashtë vendit.
I gjithë ky informacion, deri më tani, vjen nga hetimet gazetareske dhe akuzat e bëra nga Magyári, dhe nuk është konfirmuar nga hetimet e institucioneve hungareze.
Megjithatë, është e rëndësishme të mbahet mend se sistemi gjyqësor hungarez është i ndikuar shumë nga Orbán dhe Fidesz.
Péter Magyar dhe partia e tij, Tisza, kanë fituar më shumë se dy të tretat e vendeve në parlamentin hungarez, mjaftueshëm për të ndryshuar Kushtetutën.

Megjithatë, shumë njerëz në pozicione të fuqishme institucionale u emëruan nga Orbán dhe mbeten pranë tij, gjë që mund të paraqesë një pengesë për Magyárin.
Në muajt e fundit, disa persona të lidhur me Orbán-in janë zhvendosur jashtë vendit. Njëri prej tyre është dhëndri i tij, István Tiborcz, një i dyshuar në të kaluarën për mashtrim në prokurimet publike. Që nga viti i kaluar, ai ka jetuar në Shtetet e Bashkuara me vajzën e Orbán-it, Rahel.
Një person tjetër i cituar nga gazetat hungareze, është Ádám Matolcsy. Ai është djali i një bashkëpunëtori të ngushtë të Orbán-it, György Matolcsy, i cili shërbeu për vite me radhë si guvernator i Bankës Qendrore Hungareze.
Të dy janë të përfshirë në një skandal që përfshin përvetësimin e fondeve nga Banka Qendrore. Ádám Matolcsy është zhvendosur në Dubai: “444.hu” raportoi se ai filloi të dërgonte asetet e tij në Dubai që në mars.
Si Tiborcz, ashtu edhe Matolcsy, mohojnë se janë larguar nga Hungaria për të shmangur hetimin dhe më parë kanë thënë se akuzat kundër tyre ishin të motivuara politikisht.

Ata i thanë “Financial Times” se kanë ndërmend të bashkëpunojnë me autoritetet hungareze. Matolcsy pretendon se e ka transferuar vendbanimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe për arsye pune vite më parë.
Magyiar ka premtuar të kërkojë ekstradimin e tij, por nuk ka marrëveshje midis dy vendeve për këtë çështje.
“The Guardian” raportoi gjithashtu, bazuar në burime brenda Fidesz dhe qeverisë amerikane, se disa figura të shquara të Fidesz po planifikojnë të largohen nga Hungaria dhe të transferohen në Shtetet e Bashkuara.
Orbán gëzon marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë aktuale të SHBA-ve dhe presidentin republikan, Donald Trump.

Ai gjithashtu ka njëfarë ndikimi brenda lëvizjes së ekstremit të djathtë “Make America Great Again”, e cila mbështet Trump dhe ka vlerësuar shumë politikat e Orbán kundër emigracionit dhe pro-lindjes.
Disa politikanë të Fidesz, thuhet se po përpiqen të shfrytëzojnë këto marrëdhënie të mira për të marrë viza pune në Shtetet e Bashkuara.
Pas humbjes së tij të rëndë në zgjedhje, shumë kanë spekuluar se vetë Orbán mund të largohet nga Hungaria nga frika e hetimit dhe të kërkojë strehim jashtë vendit në vende të qeverisura nga politikanë miqësorë, si Shtetet e Bashkuara ose Rusia.
Orbán për momentin ka hequr dorë nga mandati i tij parlamentar, të cilin megjithatë e kishte fituar në zgjedhje dhe ka thënë se do të përqendrohet në rolin e tij si udhëheqës i Fidesz, duke analizuar arsyet e humbjes së 12 prillit dhe duke reformuar partinë.
Fidesz ka planifikuar një kongres për 13 qershor, ku do të vendosë nëse do ta konfirmojë Orbánin si president. Duke pasur parasysh pushtetin e tij brenda partisë, rezultati duket një përfundim i paracaktuar.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje