Gazeta Si – Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosën të ndryshojnë pjesërisht praktikën unifikuese për caktimin e masave të sigurisë.
Në lidhje me rrezikshmërinë e personit Kolegjet e Bashkuara ndajnë qëndrimin se gjykatat duhet të analizojnë personalitetin, sjelljen dhe figurën e të akuzuarit para se të vendosin “arrestin me burg”.
Kolegjet e Bashkuara, vlerësuan se praktika gjyqësore kërkonte qartësim, saktësim, standardizim, ndryshim dhe zhvillim të mëtejshëm në mënyrën e kuptimit dhe zbatimit të masës “arrest në burg”.
Përmes vendimit të lexuar nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Kolegjet orientojnë gjykatat drejt zbatimit të standardeve në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke ritheksuar se kufizimi më i rëndë i lirisë personale nuk mund të mbështetet në formulime të përgjithshme, por kërkon arsyetim konkret, të individualizuar dhe të kontrollueshëm.
Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tri rregulla kryesore:
Së pari, formulimi i mëparshëm, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Për këtë arsye, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret.
Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes.
Së dyti, masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme.
Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa.
Së treti, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë.
Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri.
Sipas Gjykatës së Lartë, ky vendim ka rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, pasi qartëson kushtet, kufijtë dhe mënyrën e arsyetimit të masës “arrest në burg”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe standardet e GJEDNJ-së.
Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara forcojnë qëndrueshmërinë, njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke vendosur në qendër garancitë e lirisë personale dhe nevojën për një kontroll gjyqësor real, konkret dhe proporcional.
Në çështjen konkrete, Kolegjet e Bashkuara lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke vlerësuar se rekursi i prokurorisë nuk gjente mbështetje në ligj.
Vendimi i plotë dhe i arsyetuar i Kolegjeve të Bashkuara do të vihet në dispozicion brenda afatit ligjor dhe do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, u mblodhën në 9 prill, me kërkesë të kryetarit Sokol Sadushi, i cili shfrytëzoi shqyrtimin e një ankimi të Prokurorisë ndaj një vendimi të Apelit që zëvendësonte “arrestin me burg” me “arrest shtëpie” për një person të kapur me mbi 7 kg kanabis.
Begtash Zeneli, është i pari që “përfitoi” nga ky vendim, pasi Kolegjet e Bashkuara lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm që i caktoi masën arrest shtëpie, duke vlerësuar se rekursi i prokurorisë nuk gjente mbështetje në ligj.
Shqetësimi për përdorim të tepruar të masës “arrest me burg” u ngrit, sepse numri i personave të paraburgosur është relativisht i lartë. Prandaj u kërkua që të rishikohet dhe njëherë praktika sa i përket caktimit të kësaj mase.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje