Nga Gazeta ‘Si’- Vështirë se kalon një javë pa një përplasje të re mes administratës së Donald Trump dhe Europës.
Por në një vit të mbushur me tensione- nga përplasjet për tarifat, te kërcënimet për aneksimin e Goenlandës dhe mosmarrëveshjet mbi ndihmën për Ukrainën, kërcënimi më serioz për Europën është përçarja në rritje transatlantike mbi NATO-n.
Trump ka deklaruar se SHBA do të tërheqë 5.000 dhe ndoshta shumë më tepër trupa nga Gjermania, pasi kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi mënyrën si Uashingtoni menaxhoi konfliktin me Iran.
Ai gjithashtu sulmoi Spanjën dhe Italinë për mungesë mbështetjeje, duke lënë të hapur mundësinë e tërheqjes së trupave edhe nga këto vende.

Ndërkohë, Spanja i ka refuzuar SHBA-së përdorimin e bazave dhe hapësirës ajrore për operacione të lidhura me konfliktin, ndërsa kritikat ndaj Italisë janë befasuese duke qenë se kryeministrja Giorgia Meloni konsiderohet aleate e afërt e Trump.
Prej kohësh, Trump ka pretenduar se SHBA mban barrën kryesore të sigurisë perëndimore, duke kritikuar veçanërisht Gjermaninë për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje. Tërheqja e pjesshme e trupave është vazhdim i kësaj linje, por njëkohësisht nxjerr në pah probleme më të thella.
Ndërsa gatishmëria e SHBA për të garantuar sigurinë europiane dobësohet dhe kërcënimi nga Rusi mbetet, vende si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Francë po premtojnë një epokë të re investimesh në mbrojtje. Megjithatë, sfida është e madhe dhe koha e kufizuar.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius theksoi se Europa duhet të forcojë shtyllën e saj brenda NATO-s nëse dëshiron të ruajë lidhjen transatlantike. Edhe pse ulja e trupave amerikane konsiderohet e parashikueshme, ajo konfirmon një ndryshim strategjik të SHBA-së.
Sipas zyrtarëve amerikanë si Elbridge Colby, Uashingtoni dëshiron të përqendrohet më shumë në Azi dhe rajonin e vet, duke kërkuar që aleatët europianë të marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e kontinentit.
Megjithatë, shumë në Europë e shohin këtë si një dobësim të solidaritetit dhe një shembull të njëanshmërisë amerikane. Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se kërcënimi më i madh për komunitetin transatlantik është vetë shpërbërja e aleancës.

Për të përmbysur këtë trend, Europa duhet të rrisë ndjeshëm shpenzimet ushtarake, të forcojë industrinë e saj të armëve dhe të thellojë bashkëpunimin mes vendeve. Aktualisht, planifikohet që shpenzimet vjetore të mbrojtjes të arrijnë rreth 750 miliardë dollarë deri në vitin 2030.
Por problemi nuk është vetëm financiar. Europa ka vuajtur historikisht nga mungesa e koordinimit në prodhimin dhe blerjen e armëve. Për shembull, ndryshe nga SHBA që prodhon një model kryesor tanku, Europa prodhon shumë variante, duke rritur kostot dhe ulur efikasitetin.
Edhe projektet e përbashkëta shpesh dështojnë për shkak të interesave kombëtare, siç ndodhi me projektin franko-gjerman për avionë luftarakë të gjeneratës së re.
Një tjetër sfidë është varësia nga pajisjet amerikane. BE synon që deri në vitin 2030, të paktën gjysma e shpenzimeve për mbrojtje të mbeten brenda unionit. Aktualisht, rreth 80% e blerjeve bëhen jashtë tij, kryesisht nga SHBA.
Kalimi drejt një autonomie më të madhe nuk është i lehtë, sidomos në një moment kur SHBA po konsumon sasi të mëdha armësh në konfliktin me Iranin, duke kufizuar furnizimet për të tjerët.
Një nga dobësitë më të mëdha të Europës mbetet mbrojtja ajrore dhe raketore. Sisteme si Patriot apo THAAD përdoren intensivisht dhe nuk ka alternativa europiane të mjaftueshme në shkallë të gjerë.
Në teori, bashkëprodhimi me SHBA mund të ndihmojë, por kjo kërkon një nivel besimi që po vihet në pikëpyetje.
Këtu qëndron dilema e Europës: rruga e shpejtë drejt forcimit ushtarak kalon përmes SHBA-së dhe kërkon besim të ndërsjellë, ndërsa rruga e pavarur është më e ngadaltë dhe kërkon reforma të thella industriale dhe politike.
Megjithatë, ka edhe shenja progresi.
Suedia dhe Finlanda janë integruar shpejt në NATO, ndërsa kompani si Saab, Rheinmetall dhe BAE kanë rritur ndjeshëm prodhimin./ CNN
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje