Politike

PD: Në 2018 falimentuan 15 mijë biznese. Këtë vit do të jetë më keq

Partia Demokratike nëpërmjet këshilltarit për Çështjet Ekonomike, Dorian Teliti bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2018 rezulton se kanë falimentuar mbi 15 mijë biznese, që sipas llogaritjeve të saj i bie 62% më shumë se në vitin 2017.

“Nëse shumica e shqiptarëve lejon që t’i qeverisë sërish Edi Rama, 2019- a do të jetë edhe më keq për ekonominë e çdo familje që mbahet me një biznes të vogël. Viti 2018 është shënuar në llogaritë e ekonomisë shqiptare si një nga vitet më të këqija të qeverisjes së Edi Ramës. 15 340 biznese kanë falimentuar nga janari deri në dhjetor. Kush thotë se këto janë kompani bixhozi, gënjen! Të tilla, të regjistruara në Qendrën e Bizneseve numërohen me gishtat e një dore. 15 340 mijë bizneset e mbyllura në një vit janë të qytetarëve të zakonshëm, sipërmarrës të vegjël e të mesëm që e kanë ulur qepenin nga taksat dhe tarifat lokale të rritura 2-3 herë, nga energjia 30% më e shtrenjtë, nga fatura e ujit 44 % më e shtrenjtë! 2018-a është edhe më keq se një vit më parë. Mbi 15 mijë biznese të falimentuara do të thotë 62 % biznese të mbyllura më shumë se një vit më parë. Janë mbi 15 mijë familje shqiptare që nuk i kanë mbijetuar gjobave të taksidarëve, që nuk i kanë mbijetuar skemës dërrmuese të TVSH-së”, theksoi Teliti.

Përfaqësuesi i PD-së bëri më pas edhe një krahasim mes kompanive fantazmë që sipas tij ndihmohen nga qeveria dhe atyre që falimentojnë.

“A ka pasur kompani të reja, që janë hapur, ndërkohë që biznesi i ndershëm falimentonte? Të gjithë e dimë që po! DH Albania, kompania fantazmë që u regjistrua në korrik dhe brenda pak javësh mori 50 milionë euro tendera, është fytyra e ekonomisë që ka ndërtuar Edi Rama: falimentim me taksa dhe gjoba të rënda për shqiptarët e zakonshëm, miliona euro për kompanitë e parajsave fiskale, me të cilat ndan pushtetin”, vijoi Teliti.

Për PD-në vitin 2019 do të jetë edhe më i zymtë dhe më keq për ekonominë e çdo familje që mbahet me një biznes të vogël, do të jetë më keq për këdo që bën biznes të ndershëm dhe nuk vjedh nga paratë publike dhe kjo do të shkaktohet nga taksat e reja që do të aplikohen.

“Prej 1 janarit ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për të mbi dyfishuar taksën e pronës. Çdo biznes që akoma nuk e ka ulur qepenin, do të paguajë 2-4 herë më shtrenjtë për vendin ku ushtron aktivitetin e tij. Nëse qeveria nis zbatimin e koncesionit të kasave të reja fiskale, çdo biznesi i duhet të paguajë 600-1000 mijë euro të tjera për të zëvendësuar sistemin, nëpërmjet të cilit do të transmetojë në qendër çdo veprim në dyqanin e tij”, theksoi zyrtari i PD-së.

Për partinë më të madhe të opozitës situata ka vetëm një ilaç për ta kuruar dhe ky është zbatimin e planit të Partisë Demokratike për rimëkëmbjen e biznesit dhe të ekonomisë nëpërmjet uljes së ndjeshme të taksave: “Taksa e sheshtë 9%; Përjashtimi nga skema e tvsh-së për bizneset me xhiro deri në 120 milionë lekë; Ulja me 300 lekë për litër e karburantit; Anulimi i çdo koncesioni korruptiv do ta çlirojnë ekonominë nga një grusht oligarkësh, që grabisin pasuritë e shqiptarëve në zyrën e kryeministrit!”.

Grafiku i publikuar nga PD për numrin e biznesve të falimentuara


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë