Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa linjat ajrore po mbajnë avionët në tokë dhe autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të reduktojnë udhëtimet, përpjekja e Europës për të shmangur mungesat e energjisë si pasojë e luftës në Iran po përballet me një problem të papritur: askush nuk e di saktësisht sa karburant ka kontinenti në dispozicion.
Kjo situatë vjen në një kohë kur lufta në Iran po rrit faturën e lëndëve fosile për Europën dhe kërcënon furnizimet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një arterie kyçe për naftën dhe gazin.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se konflikti po i kushton BE-së rreth 500 milionë euro në ditë vetëm nga rritja e çmimeve të energjisë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar përgatitjen për një bllokadë të zgjatur ndaj Iranit, që mund të trondisë edhe më tej tregjet globale.
“Në Europë kemi një farë parashikueshmërie për majin dhe qershorin… por më tej është e vështirë të parashikohet”, tha Tobias Meyer, drejtues i DHL Group.
“Ekzistojnë rezerva strategjike, por nuk ka qartësi se sa prej tyre janë përdorur.”
Autoritetet europiane nuk janë plotësisht në errësirë.
Të dhënat për rezervat shtetërore të naftës dhe gazit janë zakonisht transparente dhe përditësohen rregullisht, ndërsa vendet anëtare shkëmbejnë informacion në takime periodike.
Megjithatë, përtej kësaj, mungesa e të dhënave të detajuara krijon një “pikë të verbër” serioze: vendimmarrësit mund të mos arrijnë të identifikojnë mungesat në kohë ose të detyrohen të marrin vendime emergjente mbi baza të pjesshme.
Ministrat e energjisë nga Belgjika, Holanda dhe Spanja kanë ngritur alarmin për këto boshllëqe, duke kërkuar monitorim më të koordinuar dhe në kohë reale, sidomos për produktet e rafinuara si nafta dhe karburanti i avionëve.
Madje, përfaqësuesi i Greqisë ka sugjeruar krijimin e një kanali komunikimi të drejtpërdrejtë mes vendeve të BE-së dhe Komisionit, përmes aplikacioneve si ËhatsApp apo Signal.
“Ne kemi shumë pak njohuri reale për tregun e gazit dhe naftës,” pranon një zyrtar i lartë europian. “Ka mungesë të qartë monitorimi mbi atë që hyn dhe del nga tregu.”
Situata është edhe më e paqartë për karburantet e rafinuara. Shumica e rezervave ndodhen në depo private, dhe kompanitë shpesh nuk pranojnë të ndajnë të dhëna sensitive që nuk janë të detyruara t’i raportojnë.
Edhe të dhënat nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë janë të kufizuara për këtë arsye.
Komisioni Europian e ka pranuar këtë problem dhe ka propozuar krijimin e një “Observatori të Karburanteve”, që do të ndjekë prodhimin, importet, eksportet dhe rezervat në të gjithë BE-në- një sistem i ngjashëm me atë amerikan.
Megjithatë, realiteti mbetet i paqartë.
Rezervat e gazit në Europë ishin tashmë të ulëta para përshkallëzimit të konfliktit, ndërsa të dhënat më të fundit të plota për produktet e naftës datojnë nga janari.
Në teori, vendet duhet të kenë rezerva për të paktën 90 ditë, por në praktikë askush nuk mund të thotë me siguri sa ka në çdo moment.
“E dimë sa duhet të kenë,” thotë një tjetër zyrtar.
“Por sa kanë realisht tani? Këtë nuk mund ta dimë.”
Në këtë “mjegull lufte”, edhe pse disa sektorë- si industria petrokimike -mund të përfitojnë përkohësisht nga riorganizimi i tregjeve globale, pasiguria mbi furnizimet mbetet një rrezik serioz për të gjithë kontinentin.
Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje