Nga Gazeta ‘SI’ – Në gjysmën e dytë të vitit 2025, çmimet e banesave në Shqipëri u rritën me 28% në krahasim me një vit më parë.
Indeksi Fischer, i matur nga Banka e Shqipërisë tregon se krahasuar me pjesën e parë të vitit, çmimet janë rritur me rreth 12%.
Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u raportua i pandryshuar ndaj periudhës paraardhëse dhe u rrit me 4.4% ndaj nivelit të një viti më parë. Kontributin kryesor në rritjen e vlerës së indeksit të përgjithshëm e ka dhënë rritja në zonat e bregdetit.
Agjentët e tregut dëshmojnë një kohë më të shkurtër shitje për banesat në Tiranë, 8.1 muaj nga 11.1 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit në 9.9 nga 8.7 muaj.
Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, rreth 25% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 52% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Në tërësi, pesha e transaksioneve në të cilat blerësit janë jorezidentë ka shfaqur një prirje në rritje gjatë 5 viteve të fundit.
Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të shoqërojë një pjesë më të lartë të tregut. Sipas agjentëve, rreth 61% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 38% të rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.
Në fund të vitit 2025, stoku i kredisë për banesa arriti rreth 240 miliardë lekë, me rritje si ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm ashtu edhe ndaj një viti më parë. Pavarësisht kushteve më të shtrënguara të kreditimit, bankat kanë miratuar më shumë kredi për individët, ndërsa cilësia e tyre mbetet e mirë, me nivel të ulët të kredive me probleme.
BSH thotë se kredia e kolateralizuar me pasuri të paluajtshme përbën gati gjysmën e gjithë kredisë në ekonomi, ku pjesa më e madhe mbahet nga individët. Edhe kredia për bizneset në këtë sektor është rritur, duke arritur rreth 216 miliardë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje