Euphoria”, që doli për herë të parë në 2019, ka qenë në pauzë që prej vitit 2022. Edhe pse ky pushim i gjatë erdhi si pasojë e grevave në Hollywood, vdekjes së një prej aktorëve të serialit dhe tensioneve të përfolura mes disa prej aktorëve të rinj dhe producentëve, ai nuk e ndryshoi esencën kontroverse të serialit, përkundrazi, duket se e forcoi edhe më shumë.
“Euphoria” është një gjë e madhe, vulgare, si një karnival i çmendur, një vizion ekstrem dhe shpesh i neveritshëm i një Amerike të pangopur dhe të pamëshirshme, ku të gjithë luftojnë për thërrime para se Perandoria të shembet dhe Zoti të fikë dritat.
Nëse po kërkon personazhe të ndërtuar me kujdes, që ndryshojnë, zhvillohen dhe krijojnë lidhje të forta e kuptimplota në një mënyrë tradicionale dhe të kuptueshme, je në vendin e gabuar. Por nëse je këtu për të bërtitur, për të qeshur dhe për t’u dridhur nga spektakli, atëherë mirë se erdhe.
Do ta pranoj që mund të jem duke e ekzagjeruar mungesën e ndjenjave nihiliste të “Euphoria” në dy sezonet e para. Në fund të fundit, ajo filloi si një serial për adoleshentë (i bazuar në një seri izraelite me të njëjtin emër nga vitet 2010), dhe megjithëse paraqiste një tipologji adoleshentësh të frikshëm, me njohuri për drogat nga më të fortat dhe seksin ekstrem, aty kishte ende një farë fleksibiliteti, madje edhe shpresë, gjë që i përshtatej moshës së personazheve.
Sezoni I&II
Rue, e luajtur nga ish-ylli i Disney-t Zendaya, ishte narratorja e serialit dhe e varur nga droga, duke shërbyer si udhërrëfyese për jetën e saj dhe të miqve të saj në lagjen imagjinare të Kalifornisë Jugore, East Highland. Ishte Nate (Jacob Elordi), një sportist i pashëm, i pasur dhe i dhunshëm; e dashura e tij nga “ana tjetër e qytetit”, Maddy (Alexa Demie); Cassie (Sydney Sweeney), e dëshpëruar për dashuri dhe e ngjashme me një Barbie; motra e saj Lexi (Maude Apatow), e rregullt dhe e përmbajtur; Jules (Hunter Schafer), shoqja dhe ndonjëherë partnerja e Rue-s, një vajzë trans; dhe Fezco, një shpërndarës droge me një anë më të ndjeshme. (Angus Cloud, i cili e luajti këtë rol me një ndjeshmëri të rrallë, vdiq nga mbidoza në vitin 2023.)
Në mes të dramës së madhe dhe situatave ekstreme ku këta të rinj shpesh të mpirë emocionalisht përfshiheshin, si seksi i ashpër, përleshjet e dhunshme mes vajzave, marrëveshjet e armatosura me drogë dhe ferri i varësisë, kishte edhe momente qetësie dhe reflektimi.
Dhe megjithëse “Euphoria” nuk ishte kurrë një serial që hynte thellë dhe në mënyrë të qëndrueshme në psikologjinë e personazheve, ai kishte disa momente emocionale të vërteta. Lufta e Rue-s me varësinë dhe dhimbja që ajo i shkakton familjes së saj sollën disa nga skenat më prekëse të dy sezoneve të para, ndoshta edhe falë përvojës personale të krijuesit Sam Levinson si ish-vartës droge në adoleshencë që ka arritur të bëhet i pastër.
Edhe vizualisht, “Euphoria” kishte diçka si një vullkan, plot hije dhe shkëlqim, me drita që përziheshin dhe lëviznin. Ambienti periferik i adoleshentëve në serial ishte më shumë si një fantazi horror e çuditshme dhe e rrjedhshme, dhe make-up-i shumë i komentuar i personazheve femra e thellonte këtë ndjesi.
Xixat në sy që përziheshin me lotët, gurët e shkëlqyeshëm në fytyrë dhe vijëzimet dramatike ishin pjesë e një eksperimenti për të shfaqur emocionet e personazheve. (Kur intervistova krye-make-up artisten e serialit, Doniella Davy, në 2019, ajo tha se pamjet që krijonte ishin për “shprehje të pakufizuar të vetvetes”.)
Sezoni III
Sezoni 3 na çon pesë vite pas ngjarjeve të sezonit të dytë, në një fazë të re të jetës së protagonistëve. Rue dhe grupi tani janë të rritur në fillim të të njëzetave dhe, siç thotë ajo me një ton të ftohtë në fillim të episodit të parë: “Shumë njerëz pyesin çfarë kam bërë që nga shkolla e mesme. Sinqerisht? Asgjë e mirë.” Në fakt, po. E ashtuquajtura “jetë e vërtetë” ka filluar, personazhet janë ashpërsuar bashkë me të, dhe seriali duket sikur ka arritur formën e tij përfundimtare, më të fortë dhe më të ngurtë: një shfaqje horror-i shqetësuese, e dhënë me një buzëqeshje ironike dhe një ton përçmues, që paraqet një botë ku paraja është e vetmja gjë që ka vërtet rëndësi.
Rue nuk ka arritur t’ia kthejë shumën e madhe të parave që i detyrohet bosja e drogës Laurie (Martha Kelly), dhe për këtë arsye fillon të punojë për të si korriere droge. Ajo udhëton drejt Meksikës, ku gëlltit balona sa një top çamçakëzi të mbushura me fentanyl, të cilat i kalojnë me ndihmën e një sasie të madhe lubrifikanti dhe më pas i nxjerr në mënyrë të kontrolluar pasi kthehet në Kaliforni.
Cassie dhe Nate, ndërkohë, janë të fejuar dhe jetojnë në atë që Rue e përshkruan si një “flluskë suburbane të krahut të djathtë”. Ashtu si Rue, edhe Nate është në borxhe, për shkak të biznesit të ndërtimit që ka marrë nga i ati i tij problematik, Cal (Eric Dane, i cili, në një tjetër humbje tragjike, së fundmi ka vdekur nga ALS).
Cassie përpiqet të bëhet e famshme në rrjetet sociale, duke ekspozuar në mënyrë sugjestive trupin e saj “klasik amerikan” në kostume me nuanca fetishi (si një këlysh qeni apo një foshnjë që thith biberon). Qëllimi i saj është të fitojë mjaftueshëm para për dekorimet e dasmës që kushtojnë 50 mijë dollarë, të cilat Nate nuk dëshiron t’i paguajë. Kur ai pranon me hezitim karrierën e saj të re, i kërkon të mos tregojë “ato” – gjoksin – dhe “fytyrën e bukur” në të njëjtën kohë, një premtim që ajo e thyen menjëherë.
Jules, ndërkohë, është bërë “sugar baby”, duke lënë shkollën e artit për të jetuar në luks në një apartament në qendër të Los Angeles-it, i paguar nga një kirurg plastik i pasur, i fiksuar pas lëkurës së saj “pa pore”, një rezultat që ai supozon se vjen nga fakti që ajo ka bërë tranzicion nga djalë në vajzë para pubertetit, dhe që i thotë se gjoksi i saj është “pothuajse perfekt”. Kur ajo e vë në pikëpyetje, ai i përgjigjet se “çdo gjë mund të përmirësohet”.
Maddy, ndërkohë, punon si asistente në një kompani menaxhimi talentesh dhe sheh mundësi në tregun në rritje të OnlyFans.
Përfundimi…?
Me fjalë të tjera, të gjithë mund të shiten ose të shesin veten, pjesë-pjesë. Trupi nuk paraqitet si burim force apo kënaqësie, por si një mjet nga i cili duhet të nxirret sa më shumë pushtet dhe të mbahet me çdo kusht.
Kur Rue takon një nga klientët e Laurie-s, Alamo (Adewale Akinnuoye-Agbaje), një figurë e madhe e klubeve të stripit që përdor “Perëndimin amerikan” si metaforë për botën, ideja “çdo gjë është për shitje” bëhet edhe më e fortë.
Ai i thotë Rue-s: “Ajo gjë midis këmbëve? Ka fuqi mistike. Kështu që vendosa të rri pranë asaj me arkën time të parave. Ka-ching!” Rue e përvetëson këtë botëkuptim si një lloj zbulese fetare, duke parë vajzat që kërcejnë për para me një lloj adhurimi shpirtëror.
Klubi i stripit, në mendjen e saj, bëhet një “copëz e vogël parajse”, dhe deri në fillim të episodit të dytë ajo siguron një punë aty.
Kohët e fundit është folur për një zhvendosje më konservatore në argëtimin amerikan, e cila lidhet me estetikën e Amerikës së Trump-it. Serialet e Taylor Sheridan (“Yellowstone”, “Landman”), “The Hunting Wives” dhe reality show si “Members Only: Palm Beach” apo “The Secret Lives of Mormon Wives” luajnë me këtë stil.
Sam Levinson tallet edhe me ideologjinë “woke” të ekzagjeruar. Në këtë sezon, Lexi punon në një serial nate dhe shefja e shkrimtarëve (Sharon Stone) thotë se një episod mund të ndikojë “çfarë bëjnë njerëzit në kutinë e votimit”. Ai ironizon edhe qëndrime liberale si kontrolli i armëve dhe feminizmi.
Rue, që shet armë për klientët e Alamos, thotë se shumica po shkojnë në Meksikë. Mes gjithë kësaj, sezoni është më i ngarkuar me estetikën “Girls Gone Wild”.
Por ndryshe nga Sheridan, këtu nuk ka një anë pozitive të kësaj bote. Ajo që Rue mendon si parajsë kthehet në ferr: një striptiste vdes nga mbidoza e fentanylit; një tjetër përfundon në një qendër rehabilitimi që ngjan me rrjet trafikimi.
Në episodin e tretë, dasma e Cassie dhe Nate kthehet në masakër kur një huadhënës i Nate vjen për hakmarrje dhe e rreh brutalisht atë.
Stili i këtij sezoni ngjan me një përzierje mes “Scarface” të Brian De Palma dhe “Natural Born Killers” të Oliver Stone. Levinson përdor stile të ndryshme kinematografike, nga pamje epike të Perëndimit amerikan deri te Los Angeles-i i natës në stilin e Michael Mann, me muzikë nga Hans Zimmer.
Si këta regjisorë, edhe ai përpiqet të tregojë çfarë është Amerika sot. Dhe përgjigjja që del nuk është aspak e bukur.
Shkruar për “The New Yorker”, nga Naomi Fry, kolumniste dhe kritike e prodhimeve kulturore
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje