Nga Gazeta ‘Si’- Calimero, një zogth i vogël i mbuluar me blozë që nuk njihet më nga nëna e tij, lindi si personazh në një reklamë të animuar në televizionin italian në vitin 1963. Që atëherë ai është ankuar vazhdimisht për fatin e tij: “Të gjithë janë kundër meje sepse jam i vogël dhe i zi.”
Pavarësisht kritikave për nënkuptimet racore, ai është përhapur shumë përtej Italisë përmes një sërë serialesh vizatimorë, ku më i fundit u lançua në 2013.
Në disa vende, ndjenja e viktimizimit të pafuqishëm njihet si “kompleksi Calimero”.
Ky term është përdorur për fermerët francezë që ndihen vazhdimisht sikur iu bwhen padrejtwsi. Edhe holandezët, një komb i vogël mes fqinjësh më të mëdhenj, thonë se ky kompleks shpjegon ndjesinë e tyre se kanë pak ndikim në çështjet ndërkombëtare.
Në librin e tij “Il complesso di Calimero”, ish-diplomati italian Marco Del Panta argumenton se edhe Italia e sheh veten si ai zogthi i pafat.
Ndjenja e pafuqisë së italianëve u pa qartë kur kombëtarja e futbollit u eliminua nga Kupa e Botës nga Bosnje-Hercegovina më 31 mars. Por kjo duket disi e çuditshme. Italia është anëtari i tretë më i madh i Bashkimit Europian. Ajo ka një ekonomi më të madhe se Rusia dhe më shumë ushtarë aktivë se Britania.
Megjithatë, sipas Del Panta-s, mungesa e vetëbesimit ka bërë që Italia të zhvillojë “një traditë për të mos mbajtur qëndrime të forta në politikën e jashtme, por për t’i kënaqur të gjithë dhe për të qenë mike me të gjithë”.
Nathalie Tocci kujton se, kur këshillonte ministrinë e jashtme italiane, zyrtarët prisnin fillimisht qëndrimet e vendeve të tjera të BE-së përpara se t’i paraqisnin ministrit opsionet.
Synimi ishte të gjendej një qëndrim sa më afër mesit.
“Ne e urrejmë të mbajmë anë,” thotë ajo. Si pasojë, “gjithmonë kemi qenë më poshtë potencialit tonë”.
Rezultati është se Italia rrallë është mes vendeve që marrin vendimet kryesore në Europë. Ivor Roberts kujton me shqetësim entuziazmin e Tony Blair për t’i lënë vendimet kryesore të BE-së në duart e Britanisë, Gjermanisë dhe Francës.
“Kjo krijoi më shumë tension se çdo çështje tjetër,” thotë ai. Silvio Berlusconi, atëherë në pushtet, “u ndje si një i dashur i braktisur”.
Rrënjët e kësaj qasjeje shtrihen thellë në histori. Ato datojnë që nga koha kur jugu i Italisë sundohej nga të huajt dhe veriu ishte një mozaik shtetesh të vogla e të brishta, të ekspozuara ndaj sulmeve nga Perandoria e Shenjtë Romake apo nga fuqitë në rritje si Spanja dhe Franca.
Një shprehje napolitane thotë: “Franca apo Spanja, s’ka rëndësi, mjafton të hamë.”
Princat dhe dukët mbijetonin duke luajtur në dy fronte, duke negociuar fshehurazi me armiqtë dhe duke tradhtuar aleatët sipas interesit. Ludovico Sforza ftoi francezët kundër Mbretit të Napolit, por më pas u kthye kundër tyre kur u bënë shumë të fuqishëm- për të përfunduar më vonë i burgosur pas një tjetër pushtimi francez.
Në kohë më të afërta, Italia arriti të dalë në anën fituese në të dyja luftërat botërore duke ndërruar kamp. Por shkatërrimi dhe poshtërimi nga Lufta e Dytë Botërore lanë një neveri të qëndrueshme ndaj protagonizmit ndërkombëtar.
Ashtu si Japonia dhe Gjermania, Italia pas luftës u bë një fuqi ekonomike, por një peshë e lehtë diplomatike. Megjithatë, këto vende janë bërë më të vendosura së fundmi. A mund të ndodhë e njëjta gjë me Italinë?
Ndoshta. Në fund të marsit, kryeministrja Giorgia Meloni bëri diçka të pazakontë: refuzoi kërkesën e SHBA për të përdorur një bazë në Siçili për misione drejt Lindjes së Mesme. Vendimi nuk ishte i pamatur, pasi marrëveshjet kërkojnë miratim për përdorime jo rutinë.

Italia nuk e ndaloi përdorimin e hapësirës ajrore, siç bëri Spanja, dhe vendimi mund të shihet si një kompromis tipik italian- mes qëndrimit kritik të Pedro Sánchez dhe afrimit të Mark Rutte me Donald Trump.
Megjithatë, ky ishte një sinjal i rëndësishëm.
Deri vonë dukej sikur Meloni kërkonte një balancë më afër Uashingtonit sesa Brukselit. Edhe pse vjen nga e djathta populiste e lidhur me MAGA, ajo ka qeverisur si një europiane e moderuar duke mbështetur Ukrainën dhe duke respektuar rregullat fiskale të BE-së.
Shumë në Bruksel kishin frikë se ajo do të zgjidhte SHBA-në nëse do të detyrohej të merrte anë. Por së fundmi ajo duket se ka kuptuar se afrimi i tepërt me Trump sjell rreziqe politike.
Tarifat amerikane që dëmtojnë ekonominë italiane dhe tensionet e tjera e kanë detyruar të distancohet gradualisht.
Ndoshta ajo po mëson se ndonjëherë zgjedhja e anës është e pashmangshme. Edhe Niccolò Machiavelli mendonte kështu: një sundimtar respektohet “kur është ose mik i vërtetë, ose armik i hapur”- pra kur deklarohet qartë në njërën anë.
Një Itali më e sigurt në vetvete do ta ndiqte këtë këshillë.
Burimi: The Economist/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje