Gazeta Si – Edhe pse ishte në kërkim ndërkombëtar, Ervin Mata, i arrestuar prej disa ditësh në Brazil, mbante lidhje të forta me kartelet e drogës.
Mediat braziliane kanë publikuar foton e 39-vjeçarit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.
Mata, i cili njihet me nofkën “Boli i Kokainës”, ishte nën monitorim prej 2 vitesh në vendet e Amerikës Latine, ku lëvizte për aktivitetin e tij kriminal.
Në momentin e arrestimit, Mata mbante një pasaportë bullgare false, e cila kishte skaduar në vitin 2024. Po ashtu, iu gjet edhe një kartë identiteti bullgare, e vlefshme deri në vitin 2029, gjithashtu e falsifikuar.
Dokumente të ndryshme
Ndërkohë, ai posedonte edhe një kartë identiteti të Paraguajit, ku si vendlindje figuronte Mbretëria e Bashkuar.
Ky dokument dyshohet se përdorej kryesisht për lëvizjet e tij në disa shtete të Amerikës Latine. Mata është arrestuar me disa persona të tjerë.
Ai dyshohet se kishte krijuar bazë lëvizjeje mes Paraguajit dhe Brazilit, ndërsa shoqërohej me persona nga grupe kriminale paraguajane.
Sipas provave të siguruara nga zbardhja e përgjimeve në “Sky Ecc”, 39-vjeçari akuzohet se ka koordinuar aktivitetin e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e qindra kilogramëve kokainë, me shtrirje veprimtarie në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë.
Në vitin 2023, ai u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit kriminal prej 11 personash mes të cilëve edhe djali i Erzen Breçanit, ish-funksionarit të lartë të policisë.
Mata është i njohur gjithashtu ëpr lidhjen e tij të mëparshme me këngëtaren Elvana Gjata, si dhe konfliktet me biznesmenin e zhdukur, Ervis Martinaj.
Kush është Ervin Mata
Emri i tij është lakuar për herë të parë në ngjarjen e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku humbi jetën Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj e Elion Hato.
Për këtë ngjarje, Mata u shpall në kërkim nga policia në atë kohë dhe u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës në 2 mars 2019 pas disa muajsh arrati.
Atëherë, gjatë marrjes në pyetje, ai tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës.
Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori, ndërsa prokuroria kërkoi arrest me burg mbi Matën.
Në qershor 2021, ai u dënua me 6 muaj burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit dhe Mata u dënua me 4 muaj burg që u konvertua në 100 ditë pune në interes publik.
Në atë kohë, u tha se përplasja mes tyre nisi për çështje rozë, por gjithmonë ka pasur dyshime se janë përplasur për një shumë të madhe parash të paligjshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje