Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Fasada”, duke goditur një tjetër rast të mashtrimit ndërkombëtar përmes investimeve në bursa fiktive.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas informacioneve të siguruara, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin, i cili çoi në zbulimin e një apartamenti të përshtatur si Call Center në rrugën “Sulejman Delvina”.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, u kapën në flagrancë 14 persona, mes tyre 2 administratorë dhe 12 operatorë, të cilët dyshohet se mashtronin shtetas të huaj duke i bindur të investonin në bursa fiktive.
Në pranga ranë shtetasit A. R., 44 vjeç dhe L. M., 26 vjeç, të cilët, sipas hetimeve paraprake, kishin marrë me qira apartamentin dhe e kishin përshtatur atë për këtë veprimtari të kundërligjshme. Ata e administronin ambientin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, 12 operatorët e tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit u sekuestruan 19 njësi kompjuterike, 2 aparate celularë dhe 1 DVR, që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e mashtrimit.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje