Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria shqiptare ka miratuar indeksimin për pensionet në masën 6.4%, një vendim që do të ndikojë në përllogaritjen e pensioneve të reja duke nisur nga 1 janari 2026.
Vendimi parashikon që ky koeficient indeksi të aplikohet mbi bazën e vlerësuar individuale vjetore, e cila përfshin kontributet e paguara dhe rivlerësimet e tyre deri në vitin 2024. Ky rregull do të përdoret për përcaktimin e masës fillestare mujore të pensioneve për të gjithë përfituesit që fitojnë të drejtën e pensionit nga fillimi i vitit 2026 e në vijim.
Sipas aktit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, indeksi 6.4% është llogaritur në përputhje me kriteret e përcaktuara në legjislacionin për sigurimet shoqërore.
Një tjetër element i rëndësishëm është vendosja e kufijve maksimalë për bazën e vlerësuar. Konkretisht: Për periudhën 1994–2001, baza nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi; Për periudhën nga viti 2002 e në vijim, ajo nuk mund të tejkalojë pagën maksimale të përcaktuar sipas ligjit për sigurimet shoqërore.
Zbatimi i vendimit i është ngarkuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke prodhuar efekte financiare nga fillimi i vitit 2026.
Ndërkohë edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar një udhëzim të ri që ndryshon mënyrën e kualifikimit për shoferët e kategorive C dhe D, pra kamionëve dhe autobusëve.
Kualifikimi fillestar përfshin 60 orë teori (minimumi 15 ditë) dhe 10 orë praktikë (minimumi 5 ditë).
Risi kryesore është vendosja e “Kodit 95” në patentë ose CAP, që vërteton përmbushjen e standardeve profesionale europiane. Programi i ri përfshin edhe teknologji moderne si tahografët inteligjentë (Smart Tachograph V2) dhe sistemet e asistencës në drejtim (ADAS), si frenimi automatik dhe mbajtja e korsisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje