Lajme

Lista Marota, Inter mendon për një skuadër me të rinj

Një vit i ri, por te Inter nuk sjell ndryshime të mëdha, si në planin e objektivave por edhe të lëvizjeve në merkato. Lëvizja e madhe që u bë në nëntor me afrimin e Bepe Marotës dhe disa suksese në fushën e marketingut pritet t’i japin dorë të lirë Interit në merkato edhe pse mediet italiane flasin për një fushë me profil të ulët. Drejtori i ri i zikaltërve do duhet të ballafaqohet me disa sfida emergjente fillimisht. Janë dy rinovime në pikëpyetje të lojtarëve kyç të ekipit, kapiteni Ikardi dhe mbrojtësi Milan Skrinjar. Përveç këtyre janë edhe dy emra të tjerë që duhet të marrin zgjidhje nga Marota, blerja përfundimtare e Keita Balde dhe rikthimi i Gabigol. Fokus të veçantë në objektivat e Marotës do të kenë edhe blerja e lojtarëve të rinj, atyre që konsiderohen si e ardhmja e futbollit italian.

Merkato me talente

Sandro Tonali, Romero, Johakim Andersen dhe Xhianluka Mancini janë katër emrat që pëlqehen dhe po monitorohen nga afër Marota dhe drejtuesit e tjerë zikaltër. Tonali, konsiderohet si talenti më premtues i futbollit italian, pasardhësi i Pirlos dhe luan në Serinë B me Breshian. Vetëm 19 vjeç, por në mesfushën e Breshias ai luan me një personalitet të lartë sikur të kishte vite që luan titullar. 20-vjeçari argjentinas, Romero është një tjetër emër që pëlqehet nga Inter. Ai është një nga më të mirët në rolin e tij në raport me moshën, por në këtë duel Inter do duhet të mposhtë konkurrencën e Juventusit. Por nëse për Romeron tratativat nuk janë shumë premtuese, i ndryshëm është diskutimi për Andersen dhe Mancinin. Për mbrojtësin danez të Sampdorias, Andersen Inter është më i avancuar në tratativa dhe kërkon të përsërisë rastin Skrinjar.

Rinovimi i Skrinjar dhe Ikardit

Rinovimi i Mauro Ikardit po kthehet në një problem më vete për Interin. Kapiteni zikaltër është në tratativa për të rinovuar kontratën që prej fillimit të këtij sezoni, por firma mungon ende. Të negociosh me Vanda Ikardin, gruaja dhe menaxherja e lojtarit njëkohësisht është shumë e vështirë dhe Marota nuk po arrin ta gjejë gjuhën e përbashkët me të. Oferta e Inter besohet se arrin deri në 7 milionë euro në sezon dhe rritje të klauzolës së largimit deri në 180 milionë euro. Ndërsa kërkesa e Vandës është për një rrogë që shkon deri në 9 milionë euro. Për këtë çështje pritet të ketë një zgjidhje në fundin e këtij muaji dhe fillimin e shkurtit, për të mos e shtyrë shumë, pasi do të fillojë të ndjehet presioni i merkatos.

Ndërsa për mbrojtësin Skrinjar çështja është pak më e thjeshtë për t’u zgjidhur. Lojtari sllovak është një lider në mbrojtjen e Inter që prej dy sezonesh, por paga e tij është më e ulët se ajo e Ranokias. Një rritje mbase deri në dyfishim të rrogës është pika e para e rinovimit të Skrinjar, por edhe një klauzolë mbi 100 milionë euro, për ta mbajtur të mbrojtur nga çdo sulm që mund të vije në merkato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë