Treg

Jeta nuk është e lehtë në ekonominë e OnlyFans

Televizioni më në fund po e merr seriozisht punën e lodhshme dhe krijuese që kërkon të sigurosh jetesën online.

Nga Gazeta ‘Si’ – Në ekran, aktorja Elle Fanning ka atë pafajësinë engjëllore, me sy të mëdhenj si hëna, që të kujton një princeshë përrallash apo një krijesë të animuar pylli- një lloj brishtësie që në fakt fsheh një karakter shumë më këmbëngulës sesa duket në pamje të parë.

Në serialin e ri të Apple TV, Margo’s Got Money Troubles, bazuar në romanin e vitit 2024 nga Rufi Thorpe, Fanning luan Margon, një studente kolegji imagjinative dhe naive.

Nuk kalon shumë dhe dikush me qëllime të këqija i afrohet.

Në këtë rast është Marku, një profesor letërsie i martuar dhe disi i dështuar (i luajtur nga Michael Angarano), i cili fokusohet tek Margo dhe- me të drejtë-sheh potencialin e saj në të shkruar.

“Po takohem me të për një kafe,” i thotë Margo shoqes së saj më të mirë në FaceTime.

“Ai mendon se shkrimi im është brilant.”

Producenti i njohur televiziv David E. Kelley (Ally McBeal, Big Little Lies), krijues i serialit dhe autor i tre episodeve të para, i kalon me shpejtësi skenat e parashikueshme që pasojnë: Marku dhe Margo përfundojnë në shtrat, ku ajo nuk magjepset aq nga ai sa nga mënyra se si ai e bën të ndihet për veten.

Margo vjell në punën e saj si kameriere pa e kuptuar çfarë paralajmëron kjo.

Në fillim të episodit të dytë, ajo ka lënë shkollën dhe është një nënë beqare pa asnjë të ardhur, me një foshnjë, Bodhin, që qan aq shumë sa dy shoqet e shtëpisë largohen.

Nuk mund të vazhdojë punën pa kujdes për fëmijën, dhe nuk mund të paguajë kujdesin pa një punë. Nëna e saj, Shyanne (Michelle Pfeiffer), një figurë e ftohtë dhe e fortë, që e ka rritur vetë Margon, refuzon ta përsërisë këtë përvojë me nipin.

Seriali e bën të qartë: Margo nuk ka opsione-përveç një rruge të veçantë dhe potencialisht fitimprurëse që i shfaqet në ekranin e laptopit.

Kështu, e detyruar nga nevoja për qira dhe pelena, ajo regjistrohet në OnlyFans.

Modeli i krijuesve erotikë është bërë pjesë e ekonomisë amerikane që në fillim të pandemisë së koronavirusit, ndaj është pak çudi që televizioni ka vonuar kaq shumë ta trajtojë seriozisht.

Margo’s Got Money Troubles doli në të njëjtën javë me sezonin e tretë të dramës nihiliste adoleshente të HBO, Euphoria, ku personazhi Cassie (Sydney Sëeeney) i bashkohet platformës, duke u veshur si një qenush joshës apo edhe si një foshnjë me biberon.

“Njerëzit bëjnë para me këtë,” i thotë ajo të fejuarit.

Ajo nuk ka nevojë për para, por i dëshiron-dhe në botën e Euphoria, ku seksi shpesh është thjesht monedhë, kjo mjafton.

Është e vështirë të theksohet sa ndryshe është Margo’s Got Money Troubles-sa i butë, njerëzor dhe i ndjeshëm është ndaj personazheve të tij dhe situatës së tyre, dhe sa i mprehtë në analizën e ekonomisë moderne të vëmendjes.

Margo është naive, po, dhe vendimet e saj të dyshimta grumbullohen shpejt, por ajo është edhe krijuese, praktike dhe thellësisht e dashuruar me fëmijën e saj.

Ajo mbështetet nga shoqja e dhomës Susie (Thaddea Graham), si dhe nga babai i saj dikur i munguar, Jinx (Nick Offerman), i cili shfaqet pasi del nga rehabilitimi për varësinë ndaj opioideve dhe lexon mesazhet e saj të dëshpëruara.

Offerman është i shkëlqyer, me një ndjeshmëri të thellë që e bën lidhjen e tij me Bodhin shumë prekëse, duke e ndihmuar Margon të zhytet më tej në këtë rrugë të re.

Fillimisht, ajo ofron krahasime humoristike të fotove intime të njerëzve me Pokémon, duke përdorur aftësitë e saj përshkruese. Por shpejt krijon një personazh-Hungry Ghost-dhe një stil të vetin, duke u bindur se mund ta kthejë këtë punë dytësore në një karrierë të mirëfilltë.

Pavarësisht çfarë mendon për OnlyFans, seriali kërkon të ndryshojë këndvështrimin.

“Pra është pornografi,” thotë Jinx, duke rrudhur hundët.

“Nuk është pornografi,” i përgjigjet Margo. “Ndonjëherë ka pak lakuriqësi.”

Në fakt, pjesa më e madhe e punës së saj lidhet me ndërtimin e një audience-një nga format më të lodhshme të punës së shekullit XXI.

Seriali tregon se puna e Margos është shumë e ngjashme me profesione të tjera krijuese: ajo shkruan skenarë, planifikon kostume, ndërton skena dhe krijon histori për personazhin e saj online.

Edhe pse Fanning shfaqet shpesh e zhveshur, kjo rrallë ndodh në kontekstin e punës së saj online; më shpesh është në rolin e një nëne të re që përpiqet me dëshpërim të ushqejë një foshnjë që nuk kapet dot pas gjirit.

Seriali zbulon me finesë mënyrat se si lakuriqësia dhe puna trupore pranohen ose stigmatizohen.

Kur Margo etiketohet si “punëtore seksi” nga figura autoritare, kjo duket një përkufizim i pamjaftueshëm dhe i padrejtë, pasi ne kemi parë tashmë kompleksitetin e saj si person.

Seriali sfidon edhe etiketat e tjera: “nënë beqare”, “e varur”, “kamariere”.

Ndoshta OnlyFans është popullor sepse u jep njerëzve mundësinë të zgjedhin vetë identitetin e tyre dhe ta ndërtojnë sipas dëshirës-edhe pse në një ekonomi që rrallë u ofron prindërve fleksibilitet real.

Fantazia?

Një botë ku puna krijuese e grave vlerësohet edhe pa u seksualizuar, dhe ku dëshira erotike nuk formësohet kaq shumë nga tregu.

Deri atëherë, është e vështirë të mos mbështesësh përpjekjet e Margos dhe të mos prekehesh nga mënyra si familja e saj bashkohet për ta përkrahur.

Për një qasje më cinike ndaj OnlyFans, është Euphoria– por për një këndvështrim më njerëzor dhe shpresëdhënës, historia e Margos ia vlen plotësisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë