Kërkesa për sisteme të energjisë diellore në çatitë e banesave në Europë është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Iran, pasi familjet dhe bizneset po përpiqen të mbrohen nga rritja e fortë e çmimeve të energjisë elektrike, e shkaktuar nga një nga çrregullimet më të mëdha globale të energjisë në historinë moderne.
Konflikti ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës, gazit dhe energjisë elektrike, duke goditur si familjet ashtu edhe kompanitë, dhe duke përshpejtuar kërkimin për alternativa më të lira dhe më të qëndrueshme.
Sipas të dhënave nga tregtarë të pajisjeve energjetike dhe kompani të energjisë së rinovueshme në Gjermani, Britani dhe Holandë, kërkesa nga familjet për instalime solare është më shumë se dyfishuar që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.
Ky zhvillim vjen si një nxitje për industrinë diellore, e cila përbën rreth një të tretën e kapacitetit total të energjisë në Europë, por që vitin e kaluar kishte pësuar rënie në ritmin e instalimeve për herë të parë në gati një dekadë.
Sipas përfaqësuesve të industrisë, kriza aktuale ka treguar edhe një herë varësinë energjetike të Evropës nga importet e energjisë. Një nga drejtuesit e një kompanie gjermane të pajisjeve diellore deklaroi se vendet evropiane kanë qenë prej kohësh të ekspozuara ndaj këtij rreziku.
Në disa kompani, rritja është e dukshme: shitjet mujore janë trefishuar krahasuar me një vit më parë, ndërsa porositë për instalime të reja janë rritur me dhjetëra për qind. Disa biznese po zgjerojnë edhe stafin për të përballuar kërkesën në rritje.
Një trend i ri është kombinimi i paneleve diellore me bateri për ruajtjen e energjisë dhe pajisje për karikimin e automjeteve elektrike, duke i lejuar familjet të përdorin energjinë e prodhuar vetë edhe më vonë.
Kërkesa është rritur gjithashtu edhe për teknologjitë e ruajtjes së energjisë, me rritje të ndjeshme në tregun e baterive.
Sipas kompanive të energjisë, kjo rritje nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë sezonalë, por tregon një ndryshim më të thellë në sjelljen e konsumatorëve.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së fortë, tregu europian i energjisë diellore kishte shfaqur më herët shenja ngadalësimi, për shkak të heqjes së disa skemave mbështetëse dhe rënies së kërkesës për instalime rezidenciale.
Në përgjithësi, ekspertët e industrisë vlerësojnë se krizat e përsëritura energjetike po përshpejtojnë kalimin drejt burimeve të rinovueshme dhe po ndryshojnë strukturën e tregut të energjisë në Europë./Reuters
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje