Politike

Berisha për protestën: Kemi 1001 motive për të dalë në shesh! Kryengritja, paqësore

Nga Gazeta ‘Si’- Pak orë para protestës, kreu i PD Sali Berisha deklaroi se kryengritja do jetë paqësore, por sipas tij, më e fuqishmja që do mbahet ndonjëherë.

Berisha tha se motivet për këto protesta aktualisht janë të shumta, duke denoncuar qeverinë për çmimet e larta në të gjithë sektorët, përfshi edhe atë të karburanteve.

Sipas tij, qyetetarët po ngrihen për të mbrojtur dinjitetin ndaj një agresioni të rëndë, të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, siç e konsideron ai PS-në, për të cilën tha se përdori 83 mandatet e krimit ‘për të mbrojtur vjedhjet’. 

Mes të tjerash, lideri demokrat e akuzoi kryeministrin Edi Rama për veprime që, sipas tij, dëmtojnë demokracinë dhe interesat e qytetarëve, duke përmendur edhe çështje që lidhen me vendimmarrje të fundit të qeverisë dhe Kuvendit.

“Akti i fundit i Edi Ramës është akti më armiqësor që ai ka ndërmarrë në serinë e akteve armiqësore ndaj shtetit ligjor, demokracisë në Shqipëri. Bllokimi i heqjes së imunitetit dhe arrestimit të Ballukut nga Edi Rama ishte një mburojë për veten e tij, pasi në dosjen Balluku, Edi Rama është aksioner të paktën me 60 përqind të veprave kriminale që mban ajo dosje në total 1.2 miliardë euro.

Qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe e frikës, për t’u bashkuar me ne në kryengritjen tonë paqësore.”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te çmimi i karburanteve, duke theksuar se qytetarët shqiptarë përballen me kosto të larta, të cilat ai i lidhi me politikat fiskale të qeverisë.

Ai kritikoi gjithashtu mungesën e mbështetjes për fermerët dhe transportin publik, duke pretenduar se këto sektorë janë rënduar nga rritja e çmimeve.

Sipas tij, situata aktuale ekonomike dhe sociale është një tjetër arsye që qytetarët t’i bashkohen protestës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë