Gazeta Si – SPAK ka dhënë pretencën për disa ish-drejtues të institucioneve publike, përfshirë ARRSH-në, të akuzuar në një dosje që lidhet me shkelje të barazisë në tendera dhe procedura prokurimi.
Në qendër të çështjes, janë ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe ish-drejtori tjetër i këtij institucioni, Gentian Gjyli.
Për Berberin, SPAK kërkon dënim me 10 vite burg, për disa akuza që përfshijnë pesë episode të shkeljes së barazisë në tendera, 6 raste korrupsioni pasiv dhe një episod pastrimi parash.
Me uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar zbret në rreth 6.8 vite burg.
Për Gjylin, SPAK kërkon 1.6 vite burg për dy episode të shkeljes së barazisë në tendera, si dhe ndalim për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Në të njëjtën dosje përfshihet edhe ish-drejtori i KESH-it, Erald Elezi, për të cilin është kërkuar 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera.
Me uljen për gjykim të shkurtuar, dënimi reduktohet, ndërsa kërkohet edhe heqja e të drejtës për funksione publike për 5 vite.
Në këtë proces janë të përfshirë edhe rreth 20 persona të tjerë, për të cilët janë paraqitur konkluzionet përfundimtare. Po ashtu, kërkohet konfiskimi i shumave të parave të sekuestruara në banesën e Berberit.
Dosja përbëhet nga rreth 520 faqe dhe përfshin dhjetëra persona, zyrtarë dhe përfaqësues biznesi. Sipas akuzës, në këtë çështje rezulton bashkëpunim mes disa personave, mes tyre Ervis Lami dhe Brunilda Buli, si dhe përfshirje e subjekteve juridike “Net Group” dhe “DAAM”.
Por sipas SPAK, Lami dhe Buli kanë bashkëpunuar në fazën paraprake me drejtësinë dhe për ta kërkoi nga 7 vite e 6 muaj burg dhe në përfundim pezullimin e dënimit.
Në listën e të pandehurve janë edhe shumë emra të tjerë, për të cilët kërkohen dënime nga 1 vit deri në 2 vite burg, në disa raste të shoqëruara me akuza për falsifikim dokumentesh apo shpërdorim detyre.
Për pjesën më të madhe kërkohet pezullim i dënimit me shërbim prove ose punë në interes publik, si dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.
Në këtë proces është edhe Valter Begaj, i cili po gjykohet me procedurë të zakonshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje