Nga Gurit E. Birnbaum- Kur vajza ime ishte adoleshente, ajo ngarkoi një foto të saj me një kostum banje në mediat sociale- diçka që bëjnë shumë adoleshentë. Instinktet e mia prindërore u aktivizuan dhe i kërkova ta hiqte. Shqetësimi im nuk kishte të bënte vetëm me llojin e gabuar të vëmendjes (apo edhe me audiencën grabitqare). Ishte edhe për mesazhin që dërgonte fotografia: “Kjo është ajo që kam për shitje”, kur e dija se ajo kishte shumë më tepër për të ofruar.
E ndava këtë shqetësim me një mikeshë, duke pritur mbështetje. Në vend të kësaj, ajo më shikoi sikur po e teproja.
“Ajo është tërheqëse dhe kjo është pjesë e mënyrës se si njerëzit vihen re,” tha shoqja ime. “Pse të mos e përdorë këtë? Pasi të marrë vëmendjen që dëshiron, ajo mund të zbulojë pjesët më të thella dhe më të sofistikuara të vetes.”
Përdoruesit e aplikacioneve të takimeve përballen me të njëjtën dilemë çdo ditë.
Nga njëra anë, ata/o duan të dallohen në një treg takimesh brutalisht konkurrues. Dhe një foto seksi mund ta bëjë këtë shpejt. Në fund të fundit, fotot janë ‘portierët’ e aplikacioneve të takimeve- nëse fotografia e profilit të dikujt nuk ju tërheq vëmendjen, do vijë menjëherë largimi nga ai profil dhe mund të mos arrish kurrë tek personaliteti i tyre.
Nga ana tjetër, e njëjta strategji mund të ketë pasoja të padëshiruara si:
Objektivizimi: Partnerët potencialë mund t’ju shohin si një mjet për të përmbushur fantazinë e tyre dhe jo si një person me mendime dhe dëshira tuajat.
Paragjykimi: Njerëzit mund të supozojnë se një trup seksi është e tëra që keni për të ofruar, duke ju perceptuar si më pak inteligjent/e ose interesant/e nga sa jeni në të vërtetë.
Kurthi “afatshkurtër”: Partnerët potencialë mund të supozojnë se nuk jeni për dicka serioze ose mund të mendojnë se nuk jeni dikush për ta çuar në shtëpi.
Kush ka të drejtë? Instinktet e mia mbrojtëse apo logjika e shoqes sime?
Ne vendosëm ta zbulojmë. Në tre studime të reja, testuam nëse një profil i seksualizuar mund të ndikojë në mënyrën se si njerëzit ju shohin- dhe, më e rëndësishmja, pse dhe kur seksualizimi mund të kthehet kundër. Rezultatet mund t’ju bëjnë të mendoni dy herë para se të postoni selfien tuaj të radhës, veçanërisht nëse kërkoni më shumë sesa vetëm vëmendje.
Studimi i parë: A e shkatërrojnë profilet e seksualizuara tërheqjen ndaj marrëdhënies?
Së pari, na u desh të përcaktonim bazat. U treguam pjesëmarrësve beqarë profile takimesh që ishin ose të seksualizuara (veshje ekstra, poza ose shprehi flirtuese) ose jo të seksualizuara (veshje modeste, poza dhe shprehi natyrale).
Ne i përputhëm fotot sipas atraktivitetit, ndriçimit dhe këndit, kështu që ndryshimi i vetëm ishte vetë prezantimi.
Pas shikimit të profileve, pjesëmarrësit vlerësuan se si e shihnin personin.
Për shembull, sa shiheshin si një “person” kundrejt një objekti seksual, nëse dukeshin si një partner i mirë afatgjatë dhe çfarë lloj marrëdhënieje dukej se kërkonin.
Ne gjithashtu pyetëm nëse ata vetë do të ishin të interesuar për një marrëdhënie afatgjatë me atë person.
Rezultatet ishin të qarta. Profilet e seksualizuara u gjykuan më negativisht dhe shkaktuan dukshëm më pak interes në marrëdhënie afatgjata. Pjesëmarrësit mund të kenë qenë të interesuar të shikonin, por nuk ishin të interesuar të qëndronin.
Por kishte një kufizim të rëndësishëm: Profilet e seksualizuara dhe jo të seksualizuara paraqisnin njerëz të ndryshëm, kështu që na duhej një test më i fortë për të përjashtuar mundësinë që pjesëmarrësit po reagonin ndaj personit specifik dhe jo ndaj vetë seksualizimit.
Studimi i dytë: Pse interesi afatgjatë është më i ulët për njerëzit me profile të seksualizuara.
Ne duhej të dinim pse ndodh kjo.
Për ta testuar këtë, ne shkuam përtej imazheve statike. Pjesëmarrësit panë një video të shkurtër hyrëse që paraqiste të njëjtin person si në versionin e seksualizuar ashtu edhe në atë jo të seksualizuar. Kjo kishte rëndësi sepse njerëzit nuk reagonin vetëm ndaj një fytyre, sharmit apo një ndjenje. Ata reagonin kryesisht ndaj mënyrës se si ai person e prezantonte veten.
Ne zbuluam se njerëzit me profile të seksualizuara shiheshin si partnerë afatgjatë më pak të përshtatshëm dhe kjo ndihmoi në shpjegimin pse pjesëmarrësit ishin më pak të interesuar për një marrëdhënie kuptimplote me ta.
Studimi i tretë: A mund ta zbusë biografia juaj efektin negativ të një profili të seksualizuar?
Së fundmi, testuam nëse mund të merrnim më të mirën e të dy botëve: A mund të balancohet një foto seksi nga një biografi më e thjeshtë?
Pjesëmarrësit panë profile që ndryshonin si në foto (të seksualizuara kundrejt jo-seksualizuara) ashtu edhe në përshkrimin e shkruar. Kjo na lejoi të testonim nëse sinjalizimi i cilësive mund të zbusë supozimet negative që një foto e seksualizuar ndonjëherë shkakton.
Për ta ilustruar, një vetëpërshkrim i përbashkët (ose i kujdesshëm) përfshinte deklarata të tilla si:
“Më pëlqen të takohem me miqtë, të bëj shëtitje në plazh në perëndim të diellit, të punoj vullnetarisht me të moshuarit dhe t’i ndihmoj ata çdo javë.”
Një vetëpërshkrim neutral përfshinte deklarata të tilla si:
“Më pëlqen plazhi, të shkoj në festa dhe thjesht të shijoj jetën.”
Çfarë gjetëm?
Kuptimi i një fotoje seksi varet nga pjesa tjetër e profilit dhe nga kush po bën gjykimin.
Për burrat që shikojnë profilet e grave, një biografi ‘e ngrohtë’ ishte qetësuese. Ajo sinjalizonte se pas fotos seksi ishte personi i duhur për një marrëdhënie afatgjatë.
Megjithatë, për gratë që shikojnë profilet e burrave, kjo mund të kishte efekt të kundërt.
Gratë zakonisht kanë më shumë për të humbur nga një vendim i keq për takime. Kur panë një burrë me një foto pa bluzë, të seksualizuar, të shoqëruar me një biografi të ndjeshme rreth “vullnetarizmit me të moshuarit”, ata nuk e besuan. Mund të dukej si një sinjal i përzier. Mospërputhja i bëri ato dyshues për qëllimet e tij të vërteta.
Duke parë prapa, unë ende e kuptoj idenë e shoqes time. Në një treg takimesh të mbushur, njerëzit përdorin atë që i bën të vërehen. Por hulumtimi ynë sugjeron që tërheqja e vëmendjes është vetëm fillimi. Ajo që ndodh më pas varet nga mënyra se si njerëzit e interpretojnë profilin tuaj të përgjithshëm dhe nëse i fton ata të shohin një trup apo një person të tërë.
*Gurit Birnbaum, Ph.D., është Profesoreshë e Psikologjisë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje